Në fillim të viteve ‘50, qeveria jugosllave po shqyrtonte seriozisht mundësitë për të rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti.
Një vistër dokumentesh të CIA-s nga viti i largët 1952, në mesin e miliona sosh sa janë zbardhur së fundmi për publikun, ndryjnë të dhëna tronditëse për marrëdhëniet aspak miqësore mes dy shteteve rivale të bllokut komunist. Qeveria jugosllave madje nuk po e mbante as të fshehur mëtimin e saj për rrëzimin e Qeverisë së Enver Hoxhës.
Në dokumentin e datës 15 gusht të vitit 1952, agjentët e CIA-s pikasin veprimet e shërbimeve të fshehta jugosllave të cilat nxitnin të ikurit nga Shqipëria për të rihyrë në territorin shqiptar. Këto veprime, sipas raportit konfidencial, shoqëroheshin me shpërndarjen e pamfleteve dhe afisheve që u bënin thirrje shqiptarëve për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës.
Përpjekjet më serioze, gjithnjë sipas informacioneve që kishte vjelur CIA nga bashkëpunëtorët e saj, ishin diversionet e shpeshta brenda territorit të Shqipërisë të grupeve të mirarmatosura e të pajisura nga UDB-ja.
Në të gjitha këto aksione që kryheshin me udhëzimet e shërbimeve jugosllave, ishin të përfshirë shqiptarë që kishin ikur nga Shqipëria qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Madje, sipas CIA-s, në këtë kohë ndodheshin më shumë se 5 mijë shqiptarë në Jugosllavi. Interesante është se si të gjitha këto aksione kalonin me miratimin e gjeneral Dushan Mugoshës, që mbante namin si një njohës i rryer i realitetit shqiptar.
Dokumenti, në vijim, raporton për një mbledhje të mbajtur në korrikun e vitit 1950, kur rreth 100 emigrantë shqiptarë të të ashtuquajturit ‘Komitet i Prizrenit’ organizuan Lidhjen e Refugjatëve Shqiptarë. Me këtë rast, në këtë mbledhje u zgjodh një këshill drejtues, ku spikasin emrat e Apostol Tenefit nga Pogradeci, Nik Sokolit, Rexhep Becës, Jovan Memës, Lutfi Spahiut dhe Stathi Kostarit. “Ky komitet është tërësisht në duart e UDB-së”, nuk harron të saktësojë raporti i CIA-s.
Vetëm në vitin 1951, Qeveria jugosllave nisi pagesat e rregullta mujore të emigrantëve shqiptarë prej 3 mijë deri në 6 mijë dinarë. Të gjitha shpenzimet e anëtarëve të këtij Komiteti paguheshin nga UDB-ja.
Raporti i CIA-s vë në dukje edhe një dimension tjetër brenda rretheve të emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi: disa prej tyre kishin disponim antikomunist dhe ishin në dijeni të politikës jugosllave karshi Shqipërisë. Pal Bib Mirakaj, Kol Çuni dhe Nikoll Gjonmarkaj (ky i fundit biri i kapiten, Gjon Markagjonit) përmenden në raport si të mbajtur në vëzhgim nga UDB-a, me gjasmë si pasojë e mospajtimit të tyre ndaj qasjes jugosllave rreth Shqipërisë.
Një tjetër dokument konfidencial që mban datën 10 tetor 1952, jep të dhëna të tjera mbi organizimin e emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi. Bëhet fjalë për një mbledhje të mbajtur me 30 maj të vitit 1952 kur rreth 250 delegatë dhe mysafirë u mblodhën në Prizren. Asociacioni i Emigrantëve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi (Savez politckih emigranta Albanije u Jugoslaviji) duket se po e lexonte mirë kontekstin gjeopolitik të përftuar në rajon pas prishjes së marrëdhënieve jugosllavo-sovjetike. Raporti i CIA-s, në vazhdim, përmbledh fjalimin e Apostol Tenefit që ankohet ndaj asaj që e quan ‘hegjemoni sovjetike’ në Shqipëri.
Sipas tij, instruktorët sovjetikë dhe bullgarë në Shqipëri po mbanin pozita të larta në Komitetin Qendror por edhe në Qeverinë shqiptare, në ndërmarrjet ekonomike por edhe në organizimet kulturore dhe shoqërore. Tenefi raporton në këtë mbledhje se si një punëtor shqiptar merrte 1500 lek në muaj, përderisa inxhinierët e Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë paguheshin nga 15 mijë deri në 20 mijë lek. I njëjti shpërpjestim, sipas tij, ishte edhe mes një oficeri të lartë shqiptar që paguhej 5 mijë lekë dhe një instruktori sovjektik ose bullgar që paguhej prej 25 mijë deri në 35 mijë lekë. Të gjitha këto shpenzime paguheshin nga populli shqiptar përmes taksave të larta dhe detyrimeve të tjera.
Raporti në vazhdim precizon se emigrantët shqiptarë në Jugosllavi publikonin një gazetë të përmuajshme të quajtur Zastava Slobode (Flamuri i Lirisë).
Ky raport sjell në vëmendje edhe ikjet e njerëzve nga Shqipëria (fshatarë, punëtorë dhe intelektualë), numër të cilin e vlerëson të jetë 4500. Në vazhdim raportuesit e CIA-s përkujdesen që të sjellin edhe anën tjetër të medaljes. Ata citojnë Viata Sindicala të Bukureshtit se 800 mijë shqiptarë në Jugosllavi po persekutoheshin. Gjithnjë, sipas tyre, 40 për qind e zyrtarëve shqiptarë në ‘Kosovë dhe Metohi’ ishin zhgraduar, arrestuar ose zhdukur në mënyrë misterioze nga ana e UDB-së.
Në raport sillet edhe një vlerësim i organit antititist ‘Nova Borba’ i Emigrantëve Politikë Jugosllavë në Çekosllovaki. Më tutje, parafrazohen vlerësimet e emigrantëve jugosllavë në këtë shtet mbi gjendjen në Kosovë, ku shqiptarët përballeshin me një gjendje të vështirë.
Sipas tyre, 800 mijë shqiptarë në Jugosllavi ishin terrorizuar ose privuar nga të drejtat e tyre politike dhe ekonomike, por edhe i ishin nënshtruar zhdukjes kombëtare dhe fizike.