MENU
klinika

"...e fundit që u ekzekutua"

Njihuni me Eufrozinën, kurtizania që sfidoi Ali Pashën

14.09.2019 - 12:25

Vizita në qytetin e Janinës pashmangshmërisht lidhet me figurën e një prej pashallëqeve më jetëgjata në periudhën e Perandorisë Otomane, atë të Janinës dhe pashait të saj Ali Pashë Tepelena.

Për të janë thurur vargje nga Lord Bajroni, për bëmat e tij ekzistojnë libra të tërë artistikë si dhe studime mbi jetën që bënte pashai më i fuqishëm i kohës, për nga zhvillimi ekonomik dhe tregtar. Por për figurën e Eufrozinës nuk kisha dëgjuar më herët.

Kush e ka vizituar shtëpinë e Ali Pashës në ishull, sikurse tregon ciceroni i muzeut, nuk mund të mos rrëqethej kur dëgjonte për historinë e një prej vajzave më të bukura të Janinës, e cila pati një fat tragjik. Kjo jo vetëm prej historisë, por edhe prej instalacionit që i ishte kushtuar në një nga pavionet e muzeut, pikërisht në bodrumin e shtëpisë, aty ku Ali Pashai e kishte mbajtur tri ditë të mbyllur vajzën e re.

Eufrozina, e cila mbante emrin e një prej perëndive të antikitetit grek që simbolizon bamirësinë, pati një fat tragjik, për të cilën pas kaq shumë kohësh janë thurur shumë mite dhe legjenda, aq sa faktet janë zbehur pas krenarisë së qëndresës që një greke i bëri një pashai mysliman.

Eufrozina ishte mbesa e Gabrielit, kryepeshkopit të Janinës dhe gruaja e një tregtari të shquar, i cili duhej të kishte kaluar më pak kohë në rrugë dhe më shumë kohë në shtëpi.

Si një familjare e një prelati të kishës, Eufrozina pati një edukim të shkëlqyer dhe u tërhoq nga letërsia klasike greke e kohës. Kontakti me klasikët, me gjasë, ngjalli tek ajo dëshirën për të rizgjuar stilin kurtizan të të jetuarit dhe të kënaqë me sjellje joshëse meshkujt, që për moralin e kohës e bënin atë të cilësohej si “një zonjë të pahijshme”.

Gjatë mungesave të shpeshta të bashkëshortit të saj, shtëpia e Eufrozinës u bë vendpushimi i të rinjve të krishterë dhe myslimanëve të shkolluar dhe të pasur të Janinës, duke përfshirë madje edhe të birin e Ali Pashës, Mukhtarin, i cili shumë shpejt ra pre e bukurisë së kurtizanes. Kjo sjellje e pazakontë e Eufrozinës nxiti imitim nga gratë e tjera të reja të martuara, të cilat kërkonin të ndiqnin shembullin e saj dhe të shijonin frytet e ndaluara të marrëdhënieve seksuale liberale, duke krijuar një lloj klubi kontrovers për kohën dhe moralin e shoqërisë.

Përhapja e këtyre sjelljeve shqetësoi jo pak pjesën konservatore të shoqërisë greke të kohës, e cila nën diktatin e pushtetit otoman ishte edhe më pak tolerante ndaj figurës së gruas në tërësi. Bashkëshortët e krishterë, pikërisht ata që mund të kishin frekuentuar Eufrozinën, në një aleancë “të fshehtë” me gratë myslimane besohet se sollën dhe vdekjen e Eufrozinës. Ishin pikërisht zërat e tyre të tërbuar ndaj sjelljes sfiduese të Eufrozinës që mbërritën deri tek Ali Pasha, tek i cili kërkuan drejtësi.

Ndërsa sipas një versioni tjetër të historisë, ishte gruaja e Mukhtarit, djalit të preferuar të Ali Pashës, përgjegjëse për ekzekutimin e Eufrozinës. Ajo u ankua tek Aliu se bashkëshorti i saj kishte nisur ta zhvlerësonte prej faktit se tashmë i ngjallnin interes gra të tjera. Me kërkesë të Ali Pashës, gruaja shkruajti në një letër emrat e 15 grave, myslimane dhe të krishtera, të cilat besohet se e kishin argëtuar Mukharin, duke i ngacmuar ndjenjat. Pashai urdhëroi më pas dënimin e tyre me vdekje. Në këtë listë ishte dhe emri i Eufrozinës. Por kjo nuk është e vetmja arsye përse gruaja u dënua me vdekje.

Ashpërsia me të cilën Ali Pasha e trajtoi Eufrozinën ishte edhe rrjedhojë e hakmarrjes.

Ali Pasha kishte dashur të kishte kontakt në klubin e kurtizaneve të Eufrozinës, të këtyre grave të përparuara në jetën seksuale, por diçka e tillë i ishte ndaluar. Grekët e trajtonin figurën e Eufrozinës, në instalacionin e krijuar në kujtim të historisë së saj, si viktimë e mizorisë osmane, të kryer nga Ali Pasha i frikshëm dhe i degjeneruar, edhe pse nxitësit e vërtetë të vrasjes së gruas së re janë myslimanë shqiptarë.

Secila prej viktimave të dënuara nga Ali Pasha me akuzën se ishin pjesë e këtij klubi pranuan fatin e tyre në heshtje. Eufrozina ishte e fundit që u ekzekutua. Ajo u dënua të mbytej në liqen dhe sikurse e shikoni në foton e instalacionit të bërë në muzeun e Shtëpisë së Ali Pashës në Janinë, gruaja shfaqet e qetë teksa një gur mban lidhur këmbën e saj.

Momenti i hedhjes së gurit është shkëputur nga një film i vjetër grek, i prodhuar mbi motivet e kësaj historie. Guri hidhet nga barka prej xhelatit, duke e tërhequr menjëherë Eufrozinën në thellësinë e ujërave të liqenit, aty ku prehet trupi i saj.

Sipas folklorit lokal të banorëve të zonës, paçka dritëhijeve që ekzistojnë për nxitësit e vërtetë që e çuan Eufrozinën drejt vdekjes, figura e saj identifikohet me atë të heroinës që i bëri rezistencë deri në fund Ali Pashës dhe gjithë pjesës konservatore të shoqërisë greke, duke sjellë revolucionin e parë në jetën e gruas nën pushtimin otoman.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen