MENU
klinika

Çfarë thuhet në shkresën zyrtare?

Korporata e Investimeve, Brukseli: Në linjë me kuadrin ligjor të BE-së

15.09.2019 - 20:45

Komisioni Europian ka dhënë OK për projektligjin e rishikuar të Korporatës së Investimeve duke e cilësuar si plotësisht në linjë me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

Përmes një shkrese zyrtare dërguar Ministrisë së Jashtme, publikuar nga Top Channel, shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e zgjerimit, Michela Matuella deklaron se drafti i ri reflekton plotësisht komentet dhe adreson shqetësimet që komisioni kishte shprehur për projektligjin fillestar.

“Dëshiroj të konfirmoj se drafti i rishikuar për Korporatën e Investimeve që ju na keni dërguar në datën 18 korrik, merr parasysh në mënyrë të plotë komentet tona. Do të doja t’ju falëndëroja për bashkëpunimin shumë të mirë”, thuhet në shkresë.

Projektligji u ndryshua nga varianti fillestar duke reflektuar shqetësimet e institucioneve ndërkombëtare.

Ministria e Financave dhe Komisioni i Ekonomisë kanë zhvilluar konsultime intensive me ekspertët e Bashkimit Europian.