MENU
klinika

Profil

Friedman, ekonomisti më i mirë i të gjitha kohërave

16.09.2019 - 14:33

Ai është një ndër 10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave, që me veprën e tij ndikoi në përmirësimin e jetës së miliona njerëzve sot.

Bëhet fjalë për Milton Friedman, i lindur në 1912 në Nju Jork.

Friedman u njoh si një ekonomist i shquar amerikan dhe bashkëthemelues i “Shkollës Ekonomike” të Çikagos.

Ai ndoqi studimet kryesisht në profilin matematikë, formim që la shenjë në metodologjinë e studimeve të tij.

DEPRESIONI I MADH NË SHBA

Gjatë këtyre viteve, Friedman e shihte me me dyshim programin New Deal të Presidentit Ruzvelt. Ai miratonte disa nga programet e qeverisë, kryesisht programet e punësimit, por shihte masat e caktimit të çmimeve minimale dhe kartelizimit si jo efektive. Në vitet e fundit të jetës Fridmani pranoi që, në fakt, asnjë pjesë e programit ekonomik të Ruzveltit nuk kishte qenë efektiv në nxjerrjen e vendit nga kriza.

PRIRJET KEJNSIANISTE Të FRIEDMAN

Në vitet 50-të, Friedman iu rikthye analizës ekonomike Kejnsianiste dhe do ta kundërshtonte. Njëri prej kontributeve Fridmaniste është kritika e kurbës së Philipsit, idesë Kejnsiane që ekziston një kontradiktë në mes inflacionit dhe papunësisë.

Sipas Philipsit, rritja e shkallës së inflacionit do t’i ulte rrogat reale dhe kështu do ta bënte punësimin më të lehtë, duke quar në uljen e shkallës së papunësisë. Kur në fillim të viteve ’70-ta ekonomia amerikane po vuante edhe nga hiperinflacioni edhe nga papunësia e madhe, situatë e cila njihet me termin stagflacion, Fridmani dhe ekonomistë tjerë që ishin kritikë të kësaj ideje që tani kishte gjetur vdekjen u lavdëruan shumë.

Kur ishte fjala për masat kundër krizave ekonomike, Kejnsianizmi si ekonomi e depresioneve i jepte më shumë rëndësi politikave fiskale të shtetit sesa atyre monetare. Arsyeja për këtë ishte besimi i Kejnsit në atë që ai e quante “grackë të likuiditetit”, situatë që i referohej mosbesimit të bankave në dhënien e kredive gjatë krizave e që si rezultat krijonte mungesë të likuiditetit në treg edhe atëherë kur Banka Qendrore i mban normat e interesit në zero.

Roli i Fridmanit në këtë kuptim ishte ta kundërshtonte retorikën fiskale dhe ti jepte më shumë rëndësi asaj monetare. Si rezultat, lindi njëra prej veprave kryesore të tij të quajtur Historia Monetare e Shteteve të Bashkuara, 1867-1960 (A Monetary History of United States 1867-1960 (1963), bashkautorësi me Anna Schwartz).

Në këtë vepër, Fridmani kontribuon në forma të ndryshme.

Kontributi i tij i parë është ai historik, kontribut në të cilin Fridmani me ideologjinë e tij tipike pozitiviste synon ta analizoj “sasinë e parave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Pas këtij kontributi empirik, Fridmani bënë një kthesë të madhe në mendimin ekonomik: i shpjegon shkaqet e Depresionit të Madh jo si mungesë të besimit në anën e investitorëve e konsumatorëve por si rezultat direkt i “kontraktimit të sasisë së parave në qarkullim”. Faji, sipas Fridmanit, i mbetet tërësisht Bankës Qendrore në Amerikë të njohur si Federal Reserve, e cila gjoja i kishte mbajtur normat e interesit shumë të larta duke i zënë frymën likuiditetit bankar i cili veç ishte vënë në vështirësi nga tërheqja e depozitave nga konsumatorët për shkak të frikës. Ky ishte kontribut kolosal sepse e zhvendosi debatin e Depresionit të Madh nga mendimi Kejnsianist në idenë që sistemi monetar kishte qenë shkaktar i krizës, gjë e cila shumë dekada më vonë i dha shkasë Ben Bernanke, Kryetarit të Federal Reserve, t’i kërkoj falje Fridmanit e t’i premtoj që Banka Qendrore nuk do t’i ulë kurrë normat e interesit në një situatë të tillë falë “mësimit” tij.

Ndoshta kontributi më i plotë që mund të nxirret nga kjo vepër është ajo që më vonë do ta bënte shkollën e Cikagos dhe Fridmanin shumë të njohur në sferën e parasë: politika e njohur si monetarizëm. Duke e rehabilituar teorinë sasiore të parasë, Fridmani tha në fjalët e tij të famshme që “inflacioni është kurdo dhe kudo fenomen monetar”. Deri në atë periudhë, e sidomos me insistimin tragjik Kejnsian, ishin përhapur ide të ndryshme që inflacioni nuk shkaktohej patjetër nga rritja e sasisë së parasë por më shumë nga shkaqe tjera si “spekulimi”. Fridmani në princip ishte kundër ekzistencës së një banke qendrore, por ai kurrë nuk e shpalosi këtë princip fuqishëm, duke e përmendur vetëm në raste të rralla. Nisur nga përvoja e tij praktike në fushë, ai e besonte të pamundur stabilizimin e ciklit të biznesit me mjete monetare pasi vonesat e efekteve të masave të Bankës Qendrore do bënin që rezultatet të dukeshin pasi kriza të kish kaluar, duke dhënë efektin e kundërt në ekonomi. Megjithatë, monetarizmi i Fridmanit kishte për qëllim dhënien e këshillave mbi politikat monetare tani që një bankë qendrore ekzistonte.

Nisur nga analiza e Fridmanit, lind ideja e tij për rritjen e sasisë së parave me një normë konstante e të njohur vjetore prej k% (“rregulli Fridmanist i k përqindëshit”), çka do ishte shumë më pak destabilizuese për ekonominë se ndërhyrjet sporadike dhe të paparashikueshme të çdo Banke Qendrore. Sipas Fridmanit, qëllimi ideologjik i të cilit ishte koncepti i “stabilitetit të çmimeve”, kjo përqindje do të duhej të ishte e barabartë me Prodhimin e Brendshëm Bruto (real) në mënyrë që inflacioni të mbetej afër zeros..

Friedmani thuajse personalisht ideoi, mbrojti dhe popullarizoi idenë e tij të një regjimi monetar ndërkombëtar të kurseve të luhatshme të këmbimit. Sistemi monetar botëror i pas Luftës së Dytë Botërore qendërzohej tek Dollari amerikan (marrëveshja e Bretton Woodsit), ndaj të cilit gjithë monedhat e tjera qëndronin të fiksuara në vlerë. Ky sistem, Fridmani vuri në dukje, ishte garant i shpërndarjes së krizave financiare, nga një vend në tjetrin. Nëse çdo valutë do luhatej lirshëm ndaj të tjerave, si çdo mall tjetër në treg, sistemi ekonomik ndërkombëtar do bëhej më i qëndrueshëm, krizat do mbeteshin të lokalizuara tek vendi origjinator, dhe përgjegjshmëria e Bankave Qendrore do rritej. Secili nga parashikimet e Frdimanit (me përjashtim të qëndrueshmërisë së kurseve) u vërtetua me adoptimin e pjesshëm të sistemit të tij. Rothbardi ka vënë në pah që sistemi Fridmanist përbën një regres ndaj sistemit të standardit të arit në fuqi gjatë shekullit të 19-të, pasi fragmentarizon ekonominë monetare globale. Megjithatë, po të krahasohet me sistemin ekzistues në atë kohë, kurset luhatëse Fridmaniste janë një zhvillim i dukshëm, dhe një hap më afër idealit Hajekian të një konkurrence të plotë monetare.

Edhe pse monetarizmi është kontributi kryesor i Fridmanit, ai megjithatë nuk njihet për këtë kur është fjala te publiku. Në sytë e publikut, përmende tregun e lirë dhe shumë prej tyre do t’i bie ndërmend Fridmani. Duke e ndërtuar ideologjinë e tij të lirisë mbi bazat utilitariste, Fridmani vazhdoi me kontribute tjera jashtë sferës monetare si analiza e efekteve negative të çmimeve maksimale apo minimale, kufizimit të konkurrencës me anë të licencimit (për të cilën u citua shumë nga austriakët), lidhja mes sistemeve politike dhe atyre ekonomike, etj. Shumica e këtyre mendimeve Fridmaniste përmblidhen në veprën Kapitalizmi dhe Liria (Capitalism and Freedom (1962)), vepër e botuar edhe në gjuhën shqipe, dhe Të Lirë Për të Zgjedhur (Free to Choose (1980)).

Përfshirja e tij në politikat shtetërore dhe tentimi i tij për ta aplikuar sistemin laissez-faire nuk u kufizua vetëm në ShBA. Në periudhën e viteve ’70-ta, Fridmani udhëzoi disa ekonomistë nga shkolla e Cikagos në hartimin e planit ekonomik për Kilin në periudhën kur Pinoçeti ishte në fuqi.

Programi i tij i uljes drastike të shpenzimeve shtetërore për të vënë nën kontroll deficitin dhe kufizimit maksimal të shtypjes së parasë, masa që kujtojnë kryqëzatën kundër-merkantiliste të Turgosë në Francë, pati sukses në ndalimin e hiperinflacionit që po treste ekonominë vendase dhe kishte varfëruar shumicën dërmuese të popullsisë. Masa të tjera në frymën Fridmaniste të këshilltarëve të qeverisë kiliane në pak vite e kthyen Kilin nga një vend të varfër në atë që sot konsiderohet si vendi më i pasur, i zhvilluar dhe i lirë i Amerikës Latine. “Terapia e shokut”, term me të cilën u njohën në botë masat Fridmaniste në Kili, janë edhe sot e kësaj dite seria e vetme masave që kanë dhënë efekt në ngritjen e një vendi të botës së tretë në rangun e vendeve të zhvilluara. Masa të ngjashme, por të reduktuara, u kopjuan më vonë për reformimin ekonomik të Evropës Lindore post-komuniste.

Ndonëse këto masa denigrohen nga thuajse kushdo sot si të tepruara dhe jo-graduale, një pakicë ekonomistësh me të drejtë e kritikojnë programin Fridmanist si tepër gradual. Vendet që kanë ndërtuar dhe programet më të rrepta në vitet ‘90-të, si Estonia, kanë shënuar dhe zhvillimin më të shpejtë, arsyetohet nga këta ekonomistë.

Megjithatë, edhe përkundër sukseseve të tij të cilat janë të mëdha në drejtimin e lirisë individuale dhe zhdukjen e injorancës ekonomike, Fridmani ka hasur në kritika dhe vështirësi të mëdha kur është trajtuar nga ekonomistë dhe veçanërisht ekonomistë të shkollës austriake.

I njohur në kritikat e tij ishte Mwrei Rothbard i cili e kundërshtoi Fridmanin jo vetëm në ekspertizën monetare por në të gjitha sferat tjera në të cilat ai kishte kontribuar. Kjo kritikë mund të thuhet se përmblidhet në artikullin e Rothbardit të shkruar në revistën The Individualist në vitin 1971 në të cilin Rothbardi e sulmon ashpër Fridmanin duke thënë se ai jo vetëm që nuk klasifikohet tërësisht si përkrahës i tregut të lirë, por edhe mund të cilësohet si etatist i cili e përkrah status-kuon qeveritare.

Në përgjithësi, Fridmani u kritikua për ri-sjelljen e argumenteve të shuara të ekonomistit amerikan Irving Fischer, të cilin Fridmani e konsideronte si “ekonomistin më të mirë amerikan të të gjitha kohërave”. Rothbardi pohoi se Fridmani e ka bërë thjeshtë ripërtrirjen e argumenteve të Fisherit, të cilat madje Fisheri i ka thënë edhe më qartë se Fridmani.

-Kritika e parë e Rothbardit ishte vetë metodologjia pozitiviste e Fridmanit, markë e shkollës së Çikagos, e cila i kishte quar ata në përfundime të gabuara si idetë që “konkurrenca e përkryer” mund të arrihej vetëm nga një politikë e ashpër e drejtuar nga shteti kundër “monopolit”.

-Kritikë tjetër ishte ndarja e shkencës së ekonomisë në mikro dhe makro-ekonomi, ndarje e cila ishte e panevojshme dhe vetëm sa e legjitimonte në formë pseudo-shkencore ndërhyrjen e shtetit në ekonomi.

-Kritikë tjetër ju bë asaj që Fridmani e quante “’funksionin e ofertës’ së mirëqenies”, ku fliste për idetë e tij në lidhje me krijimin e një takse negative në të hyra sipas të cilës ata të cilët kishin të hyra më të vogla se një nivel i caktuar nuk do të paguanin taksa por do të merrnin subvencione si ndihmë sociale.

Kritika e Rothbardit nuk u përqendrua aq shumë në taksimin negativ të të ardhurave sa u përqendrua në pikën e lartpërmendur të “funksionit”, në të cilin Rothbardi i merr shembull shqiptaro-amerikanët në vitet ’70-të në Nju Jork dhe insistimin e tyre për të mos pranuar ndihmë sociale sepse sipas një citimi “shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë dhe pranimi i ndihmës sociale është sikur të kërkosh lëmoshë”. Qëllimi i Rothbardit këtu ishte ta theksoj elementin kulturor kur bie fjala te ndihma sociale. Ndër të tjera, Rothbardi natyrisht e kritikoi edhe monetarizmin në të cilin ai tha atë që është standarde për ekonomistët austriakë, që Fridmani e kishte gabuar rrugën duke kërkuar “stabilitetin e çmimeve”. Ndryshimi i çmimeve është fenomen natyral i ekonomisë i cili duhet të lihet të ndodhë; problemi me ndryshimin e papritur dhe ekstrem nuk shkaktohej nga tregu por nga tentimi për ta planifikuar paranë. Prandaj, zgjidhja për “stabilitetin e çmimeve” nuk vije nga ndonjë politikë specifike por nga kthimi në para të forta dhe tek rezervat 100% në depozita.

Në vitin 1976, Millton Fridmani u nderua me çmimin Nobel për ekonomi. Gazeta britanike The Economist ka shkruar për të që ai “ishte ekonomisti më ndikimin më të madh në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të…dhe ndofta të mbarë shekullit”. Ndonëse me mangësi teorike, vepra e Fridmanit ndikoi praktikisht në përmirësimin e jetës për miliona njerëz sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hipoteza e të ardhurave të qëndrueshme

Ku gabon nobelisti Milton Friedman?