Me investimin e ri në Urgjencën e re të Spitalit Francez në QSUT, mbi 25 mijë pacientë do të marrim shërbime të përmirësuara dhe me standarde bashkëkohore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku qenë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të parë investimin e mundësuar me mbështetjen e AlbControl.
“Fokusi ynë është tek përmirësimi i shërbimit të urgjencës, jo vetëm në QSUT por në të gjitha spitalet tona. Punët bëhen më mirë dhe më shpejt kur bëhemi bashkë, ndaj jam shumë e kënaqur që shohim sot një urgjencë me kushte bashkëkohore, falë përgjegjësisë sociale dhe solidaritetit”, tha Manastirliu.
“Të gjitha kompanitë, qofshin këto shtetërore dhe ato private, të cilat kanë buxhete të konsiderueshme dhe fusha e tyre e biznesit është e gjerë në Shqipëri, do t’i bëja thirrje, që të kontribuojnë në mënyrën e tyre edhe në një mënyrë modeste. Unë i kam kërkuar të gjitha ndërmarrjeve të tjera të varësisë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjensive, që të kontribuojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur një shembull të mirë, një shembull komunitar dhe kështu të investojnë sërish në shëndetësi por jo vetëm në Tiranë, për të mos i përqendruar të gjitha kontributet këtu”, u shpreh ministrja Balluku.
Me investimin prej 5 milionë lekë, është mundësuar ndarja e urgjencës, ku për çdo specialitet ka ambiente të veçanta, me pajisjet e nevojshme, ndërkohë që më parë çdo ndërhyrje kryehej në një ambjent të vetëm.
Shërbimi i urgjencës në spitalin Francez është një shërbim, që mbulon tre specialitete: ORL, Okulistikë dhe Oro-Maxillo-Facial.
Investimet për modernizimin e QSUT do të vijojnë, siç është përfundimi i spitalit të ri kirurgjikal, ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe fillimi i punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë, për të garantuar standardet më të mira të shërbimit për pacientët si dhe kushte më të mira pune për personelin mjekësor.