E përditshmja franceze “Paris-soir” ka publikuar një intervistë të Mbretit Zog dhe bashkëshortes së tij Geraldinë e cila mban datën e 20 korrikut 1939, kur çifti mbretëror ishte në arrati për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Monarkët shqiptarë sikurse bën me dije e përditshmja franceze, sapo arritën në tokën suedeze u pritën nga një turmë gazetarësh, krejt të paduruar për të mësuar planet ardhshme të çiftit mbretëror.
Mbreti Zog ishte i pari që iu përgjigj atyre, por i lodhur nga udhëtimi dhe i shqetësuar nga zhvillimet në atdheun e tij, ndaj dhe Mbretëresha Geraldinë mori përsipër t’i përgjigjej pjesës tjetër të pyetjeve. Por çfarë u thanë gazetarëve të shumtë atë ditë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë?
Artikulli i plotë mbi intervistën e dhënë nga çifti mbretëror vijon si më poshtë:
(Stokholm, 19 korrik, korrespondenti i të përditshmes franceze raporton me telefon)
…Larisa, Selanik, Stamboll, Bukuresht, Varshavë, Riga janë emrat që lexohen në etiketat shumëngjyrëshe që varen nëpër valixhet e qëndisura të çiftit mbretëror shqiptar, të gjitha të mbledhura në hollin e hotelit të madh të Stokholmit. Valixhet përmbajnë kurorën mbretërore dhe të gjithë pasurinë e një burri pa atdhe.
Kjo është gjithçka që ka mbetur nga ai që ishte Zogu i Parë, mbret i Shqipërisë, që mbërriti në kryeqytetin e Suedisë i raskapitur pas një udhëtimi të gjatë. Ai e gjen veten kështu në fazën e parafundit të eksodit të tij. Së shpejti ashtu sikurse pjesa tjetër e sovranëve të rrëzuar së bashku me shpurën e tyre, pas një qëndrimi të shkurtër të planifikuar në Versajë do të vendosen në destinacionin final të udhëtimit të tyre, në Londër.
Pas hyrjes së trupave italiane në Tiranë, ish mbreti nuk mund të qëndrojë në asnjë vend tjetër përpos Londrës. E vërteta është se që prej fillimit të prillit, ai ka udhëtuar në të gjithë Evropën në kërkim të atdheut që i përshtatet atij por dhe të atyre vendeve që e dëshirojnë ta strehojnë atë.
Buzëqeshja e një mbretëreshe…
Mbretëresha Geraldinë e ndjek pas si hije. Që pas lindjes së djalit dhe rikuperimit të plotë të fizikut të saj pas një shtatzanie delikate në kohë të vështira, mbretëresha u ofron të gjithëve një fytyrë të qeshur. Është një buzëqeshje që e mban gjithë kohës teksa shoqërohet nga shpura e këshilltarëve dhe shërbysve teksa ndaluan në hotelin kryesor të Stokholmit. Nga hoteli ku është vendosur zemra e Shqipërisë e mishëruar në çiftin mbretëror mund të shikohet edhe ujërat e Malar, në të cilat reflektohet pallati mbrëtëror suedez i Gustavit të V.
Qetësia mbrëtëron nën dritën e paqtë të abazhureve që rëndojnë të varur në tavanin e qendisur me flori të këtij hoteli. Megjithë luksin e mjediseve ku është strehuar Mbreti Zog shfaqet melankolik. Ai nuk gjen dot as në këtë oaz qetësinë që aspironte pas 7 prillit të kaluar. Mbreti i shqiptarëve zgjodhi vende si Greqia, Turqia, Rumania dhe Polonia pikërisht për të shmangur armiqtë e tij të Boshtit. Nesër do të niset për në Londër ku një përspektivë e re do të hapet përpara tyre, me pengje dhe shqetësime të reja…
Monarkët flasin për të shkuarën dhe planet e të ardhmes
Gazetarët kanë shumë kërshëri dhe e ngacmojnë me pyetje pas pyetje…
“Unë kam ende fuqi politike” – i përgjigjet Mbreti ëndërrimtar gazetarëve teksa shton – “Asnjë popull në këtë kohë, sado i vogël të jetë, nuk mund të bëjë pa liri. Unë përkushtohem, si të gjithë shqiptarët, pa pushim dhe pa pushim, angazhimit tim për të rifituar pavarësinë e Shqipërisë”
Përballë muzgut të pafund suedez, monarku mysliman bie në mendime dhe resht së foluri. Teksa Mbretëresha Geraldinë duket më besimplotë dhe e buzqëqeshur përpara zhvillimeve të befta dhe të rrezikshme me të cilat i është dashur të përballet. Kjo grua 23 vjeçare e veshur me të bardha, mban si xhevahirë të saj të vetëm, të fiksuar në qafë, një varëse me diamantë.
Në fjalët e saj ndihet një theks i fortë amerikan, ndërkohë që shpreh kënaqësinë se migrimit të tyre të gjatë po i vjen fundi: “Ne do të vendosimi në Angli, por fillimisht do të banojmë për pak kohë në të ëmblën Francë, afër Versajës, ku më presin motrat e mia. Ne mund të jetojmë të lumtur me gjasë edhe në Francë, ku unë jam rritur dhe ku bashkëshorti im e flet në mënyrë perfekte gjuhën e vendasve, dhe më pas mund të mendojmë të zhvendosemi në Francë”
Mbretëresha nuk nguron të shfaqet në fund shpresëplotë se ky qëndrim i tyre do të jetë për një kohë të shkurtër. “Ne kemi besim se do të rikthehemi shumë shpejt në Shqipëri. Bashkëshorti im do të punojë për t’i rikthyer Shqipërise, pavarësinë e saj. Ai do të rikthehet dhe do të kurorëzohet sërish. Kam dashur gjithmonë të udhëtoja,” tregon më tej Mbretëresha Geraldinë, “por nuk mendova se hera e parë që do të shikoj Anglinë do të ishte në kushte të tilla!”
“Duke u larguar nga pallati i Tiranës, mu desh të hiqja dorë nga gjithçka. Nuk munda të grumbulloja as bizhuteritë e mia, por zgjodha të merrja vetëm dy ose tre gjëra që ishin veçanërisht të çmuara për mua: dhuratat e burrit tim.” Rrëfimi i saj vijon më tej: “Princi ishte shumë i sëmurë gjatë gjithë udhëtimit tonë dhe duhej të mbahej në një barelë. Pyesja veten vazhdimisht se çfarë do të ndodhte me jetën e tij. Kur e shikoja më dukej gati si i pajetë. Sëmundja e tij po përparonte, aq sa për një çast kishim frikë se mos e humbnim atë. Por falë Zotit ai u shërua shpejt kur ne ndërpremë udhëtimin dhe tanimë mjekët suedezë thonë se është i bukur. Ai ka rimarrë peshën e tij dhe nuk qan më“
As në kinema dhe as në libër….
Pashmangshmërisht, emri i Hollywood-it u përmend përpara ish sovranes nga gazetarët. Ata ishin kurioz të dinin nëse do të donin që historia e tyre të shëndrrohej në film apo në libër.
“Jo. Nuk është qëllimi ynë që të shkojmë në Hollyëood. As nuk duam të kthejmë në film apo të shkruajmë një libër me atë çka na ka ndodhur, mua dhe bashkëshortit tim. Me mijëra shqiptare presin me padurim që ne të kthehemi në fronin tonë në Shqipëri. Për ata ne duhet të qëndrojmë si shembull i një ekzistence model që mban lart emrin e Shqipërisë” – u përgjigj me mençuri Mbretëresha Geraldinë.