MENU
klinika

Flet Margarita Xhepa

‘Ilia Terpini më shpëtoi nga vdekja’

16.09.2018 - 13:54

Nga Ilnisa Agolli/ 

Të xhiruar ashtu thjeshtë, bardhë e zi, pa teknologjinë e sotme filmat e prodhuar para viteve 90-të prekin çdo shqiptar, këtu apo në çdo cep të botës.

Në kujtesën kolektive të të gjithëve një film përgjithësisht mbahet mend falë batutës ose muzikës, ndaj mjafton të dëgjojmë notat e para të këngës epike të mjeshtrit të madh Aleksandër Lalo “Djemtë tanë luftojnë malet” dhe njeherazi kuptojmë se bëhet fjalë për filmin “Dimri i fundit” realizuar më 1976.

Mbase nuk ishte kohë e dashurisë dhe ishte kohë e luftës së klasave, mistereve tronditëse dhe sekreteve të paudha, por ama ishte kohë e kinemasë!

E asaj që u zhvillua në diktaturë dhe kapërceu hendekun mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, duke konvertuar histori të panumërta në celuloid përmes imazhit. Mjaft të rikthehemi tek ato filma për të cilët ndiejmë nostalgji dhe të duket sikur fluturon me një dron nëpër kujtime të një shqipeje që i përket një epoke diktatoriale plot uragane ndaj artit dhe artistëve. Ishte koha ku megjithatë, regjisorët tanë e gjetën çuditërisht shtegun e inteligjencës për ta shtruar më pas në sofrën e varfër të çdo shqiptari.

Kjo është ndjesia që të krijohet kur dëgjon Margarita Xhepën dhe përjetimet e saj në filmin “Dimri i fundit” dhe paskësaj mahnitesh se si ajo përcjell me aq emocion nnostalgjinë e këtij filmi të paharruar për të dhe jo vetëm, dhe atë të rolit xhiruar 42 vjet më parë. Shumëkush nuk e di se ishte filmi i parë i dy regjisorëve Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro.

“Ata ishin një trup, një mendje dhe një merak, tregon Margarita. Roli im kishte vetëm një faqe tekst, por vepronte dhe mendonte shumë. Nuk doja ta pranoja! Bashkëshortin e kisha sëmurë dhe dy djemtë të vegjël. Ku të shkoja? Xhirimet nisnin në janar. “Do bëjmë si do bëjmë pa ty këtë dimër”, më tha im shoq dhe u binda. Pranova!

Skenari i shkruar me mençuri flet për luftën nacional çlirimtare të vitit 1944. Pati një bashkëpunim shumë të ngrohtë midis aktoreve që ishin pesë dhe grave të fshatit të cilat iu bashkuan xhirimeve. Shumëkush nuk e di që artistët si Liza Laska, Agim Qirjaqi, Guljem Radoja, Rajmonda Bulku dhe Dhimtra Plasari shkonin çdo ditë në këmbë nga Korça për në Dardhë. Por ndonjëherë ndodhin edhe aksidente. Margarita kujton mbi të gjitha skenën e pakëndshme në atë acar:

“E kam jetën nga operatori i shkëlqyer Ilia Terpini. Personazhit tim i digjet shtëpia. Kinostudio bleu asokohe një shtëpi të vjetër që ta digjte, mirëpo trarët ishin aq të kalbur sa nëse nuk do të dëgjoja thirrjen për t’u larguar nga Ilia, do të kisha vdekur. Trau që digjej më ra në këmbë. Unë isha në rol e sipër, artisti harron. Por arti është magji dhe nuk ndikoi aspak kjo skenë që ndodhi për të vazhduar xhirimet. E harrova.”

Gjatë periudhës dy mujore, vështirësitë ishin të shumta por filmi në atë kohë kishte një fuqi udhërrëfyese në jetën e gjithësecilit prej aktorëve. Episod tjetër që Xhepa tregon duke qeshur është çasti i rrëshkitjes së grave në dëborë. Aktorja kujton se kishte hall mos thyente ndonjë këmbë apo krah dhe u fut enkas mes grave dardhare që ishin mësuar me dimrin e sertë të çdo viti, që nuk ishte assesi i fundit.

Ndonëse e pamundur të përmbledhësh në një shkrim tërë peripecitë e “Dimri i fundit” vlen të theksohet se sfida që ai i bëri kohës, atëherë dhe tani, e vendos atë në piedestal të kinematografisë shqiptare. Me një perceptim të qartë vizual dhe lëvizje të ndjeshme estetike ky film ka ngjallur mjaft debate meqë trajtonte luftën partizane, një epokë kjo që nuk mund ta mohojmë.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët