Më 20 shkurt 2018 mbushen plot 27 vjet nga dita kur mijra e mijra demonstrues nga Tirana dhe rrethet u ngritën në një revoltë të paparë popullore duke vërshuar në sheshin “Skënderbëj” ku nën goditjet e shkopinjëve të gomës së policëve dhe breshëritë e plumbave të tyre, arritën të rrëzonin shtatoren e diktatorit komunist Enver Hoxha.
Dhe ta tërhiqnin atë zvarrë rrugëve të kryeqytetit deri te Qyteti “Studenti” ku vazhdonte greva e urisë e studentëve për heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga universiteti i Tiranës.
Kjo ngjarje shënoi dhe fundin pa lavdi të sundimit komunist në Shqipëri që nën udhëheqjen e Enver Hoxhës kishte qeverisur me dorë të hekurt për afro gjysëm shekulli me rradhë një nga vëndet më të vogla, më të prapambetura dhe të varfëra të Evropës. Ashtu siç dihet tashmë, roli dhe figura e Enver Hoxhës ka qenë kontestuar që nga nëntori i vitit 1941 kur ai erdhi në krye të Partisë Komuniste Shqiptare dhe në mënyrë të ndryshme, kjo gjë do të vazhdonte edhe gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij.
Për vetë mënyrën se si funksionojnë diktaturat, (kryesisht ato komuniste), kanë qenë fare të paktë ata persona që janë përplasur direkt me Enver Hoxhën për të kërkuar rrëzimin e tij, ndërsa me letra anonime, trakte dhe parulla nëpër mure apo vënde të tjera publike, (për denigrimin e figurës së tij), ka pasur vazhdimisht pothuaj gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij dhe kjo gjë behet e ditur edhe nga dhjetra dokumente arkivore. Lidhur me këtë bën fjalë dhe ky dokument i vitit 1963,(që është nxjerrë nga një dosje voluminoze me siglën Tepër Sekret), ku Sigurimi i Shtetit ka bërë një raport-informacion mbi një ngjare në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë, ku dikush kishte shkruar në muret e shkollës “Vdekje Enver Hoxhës”.
Kjo gjë duket se ka alarmuar organet kompetente dhe ngjarja në fjalë i është raportuar me shkrim vetë Enver Hoxhës dhe si rezultat, Sigurimi i Shtetit ka bërë të gjitha demarshet për të zbuluar autorin e saj.
Dhe sipas një dokumenti tjetër që ndodhet në dosjen në fjalë, autori i asaj parrulle, ka qenë nxënësi maturant, Agron Vangjel Buzi (Lubonja), i cili filimisht u përjashtua nga shkolla dhe çështja e tij iu dërgua për veprime të mëtejshme, Degës së Brendshme.
Po sipas këtij dokumenti, njerka e Agronit, ishte me origjinë jugosllave?! Por për më shumë se si ka ndodhur kjo ngjarje dhe cilët kanë qenë autorët e dyshuar fillimisht të asaj parrulle, na njeh ky dokument arkivor që publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën TemA.
Shoku Enver e pa
- I N F O R M A C I O N
Më datën 31 janar 1963, në shkollën 11 vjeçare “Sami Frashëri” midis orës së II-të dhe të III-të të mësimit u diktua në korridorin e katit të tretë nga nxënësi Thoma Andon Jovani (i jati i këtij punon në Ministrinë e Punëve të Brendëshme) një parrullë armiqësore me këtë përmbajtje: Vdekje Enver Hoxhës.
Kjo parrullë është shkrojtur me kalem të zi, me gërma script, në lartësinë 1.59 metra, në afërsi të dritares prej nga shifet oborri i shkollës. Muri është i bardhë dhe shumë i pastër e parrulla bie shumë në dukje, sidomos kur dalin nxënësit nga klasa në korridor për të zbritur poshtë.
Nxënësi Thoma Andon Jovani kishte marrë leje nga drejtori dhe u vonua të hynte në mësim në orën e III-të. Mbasi vërejti se ora e III-të kish filluar, doli në korridorin kryesor të katit të III-të dhe menjëherë i ra në sy parrulla. Porsa e pa zbriti në shkallë dhe takoi udhëheqësin profesionist të pionerëve, Flamur Bregun dhe e njoftoi për parrullën dhe menjeherë së bashku njoftuan drejtorin e shkollës, shokun Pëllumb Çeli. Së bashku morrën masën që hapën dritaren për të mos u parë parrulla dhe njoftuan menjeherë Degën e Puneve të Brendëshme.
Dyshimet janë se parrulla është shkruar në fillimin e orës së III-të dhe nuk është shkruar as orën e parë dhe të dytë, pasi në korridor kishte qarkullim të nxënësve dhe parrulla do ish diktuar se madhësia e gërmave dhe e fjalisë binte shumë në sy. Më përpara nuk ishte shkruar se në mbrëmje ishin vendosur perdet e dritares në afërsi të vëndit ku u gjet parrulla. Me që është diktuar midis orës së II-të dhe të tretë, u bë verifikimi në shkollë se cilët nxënës u larguan këtë ditë pas orës së I-rë dhe të II-të pa leje, sidomos në klasat e katit të III-të dhe dyshimi lokalizohet në:
Në klasën e X-të është nxënëse një vajzë polake, e bija e kryetarit të atasheut tregtar polak, kjo ka zhvilluar veprimtari armiqësore dhe vazhdimisht bën provokime politike. Është përpjekur me të gjitha mënyrat të zërë dashuri, në fillim me Genc Tomçon dhe tani me Asim Shehun, nxënës të po kësaj klase, megjithëse këta refuzojnë kategorikisht, ajo ju jep fotografi të saja. Ka shpënë në klasë fotografi të artistëve polakë, ka thënë se: po të ndiqni rrugën e kinezëve, kurrë nuk keni për të ndërtuar socializmin, pse nuk më afroni mua, apo se jam revizioniste, nxënëses Engjëllushe Dizdari me të cilën rri në një bankë i tha:
“Ju shqiptarët nuk i doni polakët”. Megjithëse se i ati i saj është njoftuar se e bija nuk duhet të vejë në prodhim në qëndër pune, ajo ka vajtur dy herë në zdrukthtarinë “Misto Mame”. Ajo merr vesh çdo gjë që mendohet të organizohet në klasë, qoftë mbledhje e organizatës së rinisë apo aktivitete dhe kërkon me këmbëngulje të marrë pjesë në mbledhjet e rinisë. Nga kjo klasë më datën 31 janar 1963 u largua Fatjon Tugu. Ky është larguar pa leje orën e III-të dhe kur u pyet pse u largua, tha: “Mora vesh se kisha gjyshen sëmurë”. Kush të tha: “Më lajmëroj një fëmijë i vogël”. Duke parë këtë arsyetim dhe origjinën e familjes së tij shumë të keqe, se i vëllaj tentoj vjet të arratisej, ndërsa e motra ishte anëtare e qarkorit të Ballit Kombëtar, si dhe faktit që është larguar midis pushimit të orës së II-të dhe të III-të pa leje, të forcojnë dyshimin se mund ta ketë shkruar ai parrullën.
Gjithashtu dyshime ka edhe për nxënësen Fitret Hysen Kraja, e cila u largua me leje fillimin e orës së III-të për 20 minuta për punë personale dhe u kthye në klasë në orën e IV-të. Kjo vjet organizoi me grupin e vajzave që të mos venë në punë, por të shkonin në filmin italjan dhe të gjithë kolektivisht vanë në film në orët e punës praktike. Duke parë shkrimin e saj script që i ngjan asaj të parrullës, dyshohet se mund ta ketë shkrojtur parrullën.
Më datën 1 shkurt 1963, nga vërejtjet që bëri Thoma Andon Jovani nxënësve që hyjnë në klasë i bëri shumë përshtypje se nxënësi maturant Fisnik Kruja, i drejtoj sytë për një kohë të gjatë në vëndin ku ishte shkrojtur parrulla.
Nga verifikimi i nxënësve kujdestarë, nuk del ndonjë rast që të jetë nxjerrë ndonjë nxënës nga orët e mësimit.
Këtë çështje e dinë vetëm këta persona në shkollë: Pëllumb Çeli (drejtori), Sami Kotherja KP, Satber Imami, AP, Flamur Bregu dhe Thopma Jovani, (nxënës).
Tiranë, më 1.II.1963 (ABDYL JAUPI)