Ndoshta nuk e keni ditur më parë, ama në vitin 1938, pikërisht në ditën e fundit të muajit shkurtit, një turmë e madhe njerëzish ishte mbledhur në portin e Nju Jorkut për të pritur oqeanikun italian Conte di Savoia.
Sipas një artikulli të datës një mars të po atij viti, botuar në “New York Times“, në bordin e anijes ishin edhe tre motrat e mbretit Zog, princeshat shqiptare Myzejen, Ruhije dhe Mexhide.
Në pritje të tyre, mes turmës ishte edhe Faik Konica, asokohe Ministër i Shqipërisë në Amerikë.
Sipas biografisë së Faikut, shkruar nga Ilir Ikonomi nën titullin “Faik Konica, Jeta në Uashington”, kur princeshat mbërritën dhe u ulën nga anija, Faiku u afrua dhe përshëndeti ato dhe delegacionin që i shoqëronte.
Mund të duket e çuditshme, ama interesi i shtypit amerikan për ardhjen e tre princeshave ishte shumë i lartë. Para fotografëve, motrat, gjithnjë nën vellot e tyre prej tyli, buzëqeshnin dhe herë pas here i pëshpirisnin njëra – tjetrës.
Kësaj here, kërshëria e amerikanëve ngacomhej edhe më shumë nga një lajm që ishte përhapur dendur në mediat e kohës: Princeshat beqare po vinin në Amerikë për të kërkuar burra.
- Në faqen 153 të po të njëjtit libër, shkruhet:
Meqenëse motrat nuk flisnin anglisht, Faiku mori menjëherë rolin e zëdhënësit. Mirëpo kur gazetarët nisën të pyesin për çështjen e burrave, intervista u ndërpre pa filluar mirë, sepse Faiku nuk lejoi që gjërat të merrnin atë drejtim. Me qetësi, por qortueshëm, ai iu kthye gazetarëve: “Mendova se do të bëni pyetje dinjitoze!” Pas kësaj, një reporter protesoti: “Po kjo histori shkëlqësi ka dalë shumë herë në shtyp”.
Faiku e pa shtrembër. “Përse nuk rritesh dhe ca”, iu përgjigj, duke i kthyer shpinën.
Ndonëse kjo çështje vazhdoi dhe u përmend në media dhe interesimi nuk reshti asnjëherë gjatë gjithë vizitës, gjithçka kaloi në plan të dytë pasi princeshat u morën me gjëra shumë më të rëndësishme si përshembull takimi me Presidentin Roosvlet dhe Zonjën e Tij të parë.