Pelegrinë nga Greqia, kanë mbërritur në Manastirin e Këlcyrës, për të zhvilluar homazhe tek varrezat ku prehen eshtrat e 500 ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Italo-Greke të 1940.
Ka qenë një organizim spontan nga ish-gjenerali grek në pension Jorgos Geordiadis i cili e ndërmerr këtë iniciativë për herë të pestë radhazi. Gati 80 pelegrinë kryesisht të moshuar kanë dashur të nderojnë të rënët e luftës në territorin shqiptar gjatë konfliktit të dytë botëror në fillim-vitet ’40.
Ceremonia në varrezat e ushtarëve grekë në Manastirin e Grykës së Këlcyrës, ka qenë larg protokollit të zakonshëm, por i thjeshtë duke iniciuar veçse me një meshë për nder të të rënëve e më pas vendosjen e një kurore të përbashkët për ta finalizuar me ekzekutimin e himnit grek.
“Jam ish-nën gjeneral grek, këtu vijmë për të nderuar të rënët në luftën italo-greke. Thjesht vijmë të nderojmë të vrarët, të gjithë janë pasardhës të të rënëve në luftë. Të tjerë që kanë luftuar këtu dhe kanë ikur në Greqi dhe vijnë në vendin ku ka luftuar babai. Kemi që në 2015 që vijmë për nderime. Na jep kënaqësi që marrëveshja mes dy vendeve vazhdon, të rënët janë vendosur në vendet e tyre.
Vazhdon procedura me ADN, falenderojmë njerëzit që na kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe që jemi në Shqipëri, falenderojmë ministrinë Brendshëm. Nesër do jemi në Bularat për nderime. Kemi një pakënaqësi të vogël sepse kur hymë në doganën e Konsipolit na bënë kontroll të imtësishëm në kufi, na hapën çantat dhe kjo na u duk e tepruar, “, tha ish-nën gjenerali, Jorgos Geordiadis.
Pas ceremonisë, pelegrinët i janë drejtuar Qafës së Kicokut aty ku është zhvilluar një prej betejave më të përgjakshme të luftës italo-greke në territorin shqiptar.
Ndërkohë që nesër ceremoni të ngjashme do të zhvillohet edhe në varrezat e ushtarëve grekë në fshatin Bularat.