Zgjerohet hetimi lidhur me operacionin “Kuito” në kuadër të të cilit u sekuestruan 137 kg kokainë.
Burimet referojnë se në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të portit të Durrësit, të cilët dyshohet se mund të kenë krijuar favorizime për hyrjen e personave të paautorizuar në ambjentet e portit. Po sipas të njëjtave burime, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike për hyrje daljet në port për të parë cdo lëvizje që do të hedhë dritë mbi dyshimet e ngritura.
Me sinjalizimin e DEA-s amerikane, autoritetet greke zbuluan në Portin e Pireut një sasi prej 137 kilogramë kokainë, që vinte nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë. Droga ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontenierë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011.
Pas zbulimit, autoritetet e vendit fqinj informuan policinë, dhe një grup hetimor udhëtoi me urgjencë për në Greqi.
Në portin e Pireut, ku kontenierët kaluan tranzit, autoritetet vendosën ta zëvendësonin drogën me oriz. Brenda pakove u vendos GPS.
Kur ngarkesa mbërriti në Durrës, skuadra operacionale i mbajti nën vëzhgim kontenierët. Përgjatë katër ditëve fotografuan dhe filmuan lëvizjen e disa personave të dyshuar si pritësit e drogës.
Prokuroria zbuloi se personi kyç në linjën e trafikut ishte Gentian Malindi, pronari i një anije peshkimi, i skeduar më herët për trafik hashashi. Bashkëpunëtorë të tij ishin oficeri i sigurisë në port, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka.
Gentian Malindi, pronar i anijes ‘Anyway’, është shpallur në kërkim. Ndërsa dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë u arrestuan në qytetin e Durrësit. Altin Mislihaka, rezulton nga hetimet të jetë i punësuar nga Malindi, si ndihmës i tij në peshkim dhe për mirëmbajtjen e anijes.
Oficeri i sigurisë së Portit, Bega, i cili rezulton të ketë përdorur dokumentin e tij për të hyrë e dalë nga Porti, ka pranuar para hetuesve se ka njohje me Malindin dhe ishte pikërisht ai që i kërkoi të hapte kontenierët për të nxjerrë prej andej një ngarkesë.