MENU
klinika

Pastrimi etnik

Ja si tregojnë genocidin çam studiuesit italianë!

28.09.2019 - 09:10

Pastrimi etnik që Greqia ka kryer në Çamëri nuk është vetëm një çështje shqiptare kur vjen puna për studiuesit. Filippo Malinverno është një studiues i ri që ka publikuar së fundmi një tezë studimore për cështjen e kufirit greko-shqiptar , duke nisur që nga masakra e Janinës e deri tek pushtimi i Korfuzit.

Duke nisur që nga viti 1912, Shqipëria, sikurse referon studiuesi italian, u përfshi nga një seri operacionesh të pastrimit etnik, për të cilin u konsideruan si përgjegjës grekët, që kishin pushtuar jugun e vendit gjatë luftrave ballkanike si dhe serbët të cilët kishin uzurpuar veriun.

Veçanërisht në jug, grekët ishin munduar që të deportonin me dhunë popullsinë shqiptare myslimane duke terrorizuar vendasit që të largoheshin për të gjetur strëhë më në veri të Camërisë. Territoret më të prekura ishin Epiri i Veriut dhe Çamëria, të përshkruara nga lumi Kalamas që aktualisht janë pjesë e Greqisë.

Dallimi i shqiptarëve myslimanë dhe atyre ortodoksë ishte shumë i rëndësishëm në fund të analizës së fakteve të kohës, sepse këtë dallim grekët e vunë në zbatim edhe në kohën kur pushtuan Shqipërinë e jugut.

Ndërkohë që myslimanët shqiptarë konsideroheshin si të huaj, dhe për rrjedhojë meritonin të përjashtoheshin nga territori, në mënyrë masive, shqiptarët ortodoksë, duke qenë të të njëjtit besim me grekët u quajtën si vëllezërit ortodoks, shqiptarofon, të cilët nuk duhet të diskretitoheshin por vetëm të riorientoheshin tek kultura greke.

Nisur nga ky kriter mund të arrihet në përfundimin se karakteri diskriminues i genocidit grek nuk lidhej me përkatësinë etnike sesa me atë fetare. Studiuesi italian evidenton se për autoritetet greke të kohës e rëndësishme nuk ishte nëse ishe shqiptar apo jo por nëse ishe pjesë e Mekës apo i Patriarkut Ortodoks të Kostandinopojës. Ja përse vetëm myslimanët shqiptarë iu nënshtruan operacioneve të tmerrshme të pastrimit etnik, duke vënë në zbatim strategjinë e homogjenitetit të popullsisë në kufinjtë me Shqipërinë.

Disa regjistrime greke të atyre viteve, të cilat i numëronin çamët myslimanë si shqiptarë, dëshmojnë për rënien graduale të pranisë së banorëve besnikë ndaj islamit në Çamëri. Sipas regjistrimit grek të vitit 1913, në një popullsi prej 60.000 banorësh, 25 000 prej tyre ishin myslimanë shqiptarë; regjistrimi i vitit 1923, shënonte një dekadë më pas një rënie të konsiderueshme të kësaj përqindje, deri në një numër total prej 20.319 muslimanësh çamë, teksa në regjistrimin pasues të vitit 1928, shifra ra në 17.008 mijë banorë.

Një regjistrim i mëtejshëm i popullsisë u bë edhe nga Italia fashiste në vitin 1941, kur ushtria italiane pushtoi ato rajone, por të dhënat e mbledhura nuk janë absolutisht të besueshme. Studiuesi italian hedh hije dyshimi pasi shifrat e siguruara u përdorën nga qeveria e Romës për irredentizmin ndaj popullsisë të shqiptarëve të Çamërisë si pretekst për të ndërhyrë kundër Greqisë, duke rritur kështu numrin e pranisë së shqiptarëve të anketuar. Në çdo rast, sipas këtyre të dhënave, në vitin 1941 rreth 54,000 shqiptarë jetonin në rajon, prej të cilëve 26,000 ortodoksë dhe 28,000 muslimanë dhe 20,000 grekë.

Një tjetër mjet për eliminimin e myslimanëve shqiptarë u gjet nga grekët përmes reformës agrare, të njëjtën metodë që përdoret nga serbët në Kosovë. Në fillim të viteve ’20, qeveria greke nisi një reformë bujqësore me qëllim për të eliminuar pasuri të mëdha, në pronësi të myslimanëve shqiptarë, pronarët e tokave në zonat pranë kufirit greko-shqiptar.

Si pasojë e kësaj reforme u shkatërrua uniteti ekonomik dhe administrativ i shqiptarëve, pasi shpesh toka e konfiskuar iu rishpërnda grekëve të dëbuar nga Azia e Vogël gjatë luftës turko-greke, të cilët kishin nevojë për t’u sistemuar.