MENU
klinika

Duhet rregullore!

Gjobat e AKU-së për licencat, ekspertët: Biznesi, i painformuar!

29.09.2019 - 21:44

Ndëshkimi i bizneseve ushqimore për mungesën e licencës përkatëse deri tek mbyllja e aktivitetet, nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sipas ekspertëve nuk është mënyra e duhur për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të eliminuar shmangiet tatimore.

Sipas ekspertit ushqimor Ilir Pilku, ngërçi me licencimin është një përgjegjësi dypalëshe dhe jo vetëm e biznesit, por edhe e institucioneve, pasi ka një mungesë të theksuar informacioni nga operatorët ekonomik sa i takon legjislacioneve në fuqi, si për licencimin ashtu edhe për detyrimet tatimore që ata kanë.

“Para se unë të vij të bëj një kontroll duhet të jem i sigurt që operatori është i informuar për ligjin dhe zbatueshmërinë e ligjit. Dhe në rast se operatori nuk i përgjigjet disa herë kërkesave atëherë vijmë në momentin që është edhe i nevojshëm aplikimi i penaliteteve dhe gjobave” shprehet eksperti Pilku.

Të njëjtën tezë e mbështet edhe ish ministri i Bujqësisë Alban Zusi, i cili thekson se përveç fushatës së informimit që ka munguar nga institucionet shtetërore, AKU duhet të nxjerrë një rregullore të brendshme ku përcaktohen se cilat biznese duhet të pajisen me licencë.

“Gjëja e parë që duhet të bëjë AKU është të mblidhet dhe të përcaktojë qartazi kush ka nevojë për licencë dhe kush nuk ka nevojë. Pra të nxjerrim kriterin se si do ta krijojmë bashkësinë, apo si do ta identifikojmë bashkësinë e subjekteve që nuk kanë nevojë për licencë. kush janë, ata që kanë shumë pak metër katror, subjekte që nuk kryejnë proces të madh transformimi apo përpunimi” thotë Zusi.

Lidhur me këtë çështje pak ditë më parë deputeti socialist Ilir Beqja ka depozituar në Kuvend në nismë ligjore ku kërkon faljen e gjobave për periudhën 1 korrik-31 gusht, për dy kategori biznesesh, ata që merren me prodhim, përpunim dhe shpërndarje me shumicë të ushqimeve dhe ata që shesin me shumicë për njerëzit ushqime me origjinë shtazore.

Ky projektligj nuk është mirëpritur nga AKU, e cila thekson se mungesa e licencës është shkelja me e madhe administrative.

Ndërkohë për këtë periudhë janë mbyllur dhe gjobitur 67 subjekte ushqimore për mungesë të licencës.