Ndriçim i dobët, cilësi e dobët e tonit, një fjali jo e plotë. Janë sekonda që përshpejtojnë historinë. Fjalimi i Gensherit nga ballkoni në Pragë ishte një pikë kulmore historike dhe personale.
Verë 1989. Gjermanolindorët i kthejnë shpinën shtetit të tyre dhe kërkojnë mbrojtje në ambasadat e Bonit në Hungari, Poloni, Çekosllovaki si dhe në Përfaqësinë e Përhershme (StäV) në Berlinin Lindor. Fillimisht janë disa, pastaj bëhen qindra dhe në fund mijëra, që përpiqen të kalojnë në Republikën Federale. Sipas interpretimit gjermanoperëndimor një akt i ligjshëm, sepse në bazë të kushtetutës ata janë gjermanë. Në Hungari qeverisin socialistë të reformuar, vendi ndodhet para kolapsit ekonomik. Qeveria e Budapestit po merr një kurs të ri. Pasoja: Kufiri hungarez-austriak ruhet vetëm me gjysmë zemre.
Më 11 shtator, dhjetëra mijëra qytetarë të RDGJ-së e ndryshojnë perden e hekurt, dikur e pakapërcyeshme. Rojet kufitare të Hungarisë tolerojnë, ata vetëm bëjnë sehir. Erich Honecker dhe qeveria e tij janë të tmerruar. Edhe pushtetarët në Çekosllovaki mendojnë dhe veprojnë sipas ligjit të vjetër. Si për udhëheqjen e RDGJ-së ashtu edhe për qeveritarët e Pragës, zaptimet eambasadave janë të paligjshme. Konsensusi brenda perandorisë së Moskës po shkërmoqet. Askush nuk i parashikon pasojat e protestave në fund të verës së vitit 1989. Por njeri duket se i ka marrë me mend: Hans-Dietrich Gensher, Ministri i Jashtëm gjerman.
New York, Akti i parë, 27 shtator 1989
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Një mundësi ideale për Ministrin e Jashtëm që të bisedojë me homologët e tij nga Bashkimi Sovjetik, RDGJ dhe Çekosllovakia për situatën gjithnjë e më dramatike në ambasada. Më 8 shtator 117 qytetarë të RDGJ u larguan nga Përfaqësia e Përhershme e Republikës Federale Gjermane në Berlinin Lindor (StäV). Atyre nuk iu premtua dalja nga vendi, vetëm se nuk do të ndëshkoheshin dhe do të ktheheshin në vendin e punës.
Që atëherë Përfaqësia e Përhershme e RFGJ mbetet e mbyllur. Si rezultat: presioni ndaj ambasadave në Varshavë, Budapest dhe Pragë rritet. Dhe RDGJ nuk pret asgjë më pak nga qeveria e Bonit, sesa t’i mbyllë ambasadat në këto vende, për të dhënë një sinjal kundër atyre që duan të largohen. Përgjegjës për përfaqësitë e huaja është Gensher – “Genshman”, siç thirrej Ministri i Jashtëm gjerman nga njerëzit. Ai e refuzon kategorikisht mbylljen dhe urdhëron pranimin, akomodimin dhe kujdesin për qytetarët e RDGJ-së. Mijëra vetë kanë mbërritur ndërkohë në tri ambasadat.
Më 27 Shtator, e mërkurë, Genscher është për darkë me homologun e tij nga Berlini Lindor, Oskar Fischer. Ai i bën atij dy sugjerime: që zyrtarët e RDGJ të lëshojnë lejet e udhëtimit dhe t’i vulosin pasaportat në ambasada. Opsioni dy: Qytetarët e Gjermanisë Lindore të udhëtojnë për në Perëndim me trena përmes territorit të Gjermanisë Lindore. Fischer thotë se do ta informojë në fundjavë Honeckerin. Shumë vonë, thotë Genscher.
28 shtator
Një ditë më vonë Genscher dhe Fischer telefonojnë përsëri. Në ndërtesat e ambasadave, veçanërisht në Pragë, kushtet higjienike po bëheshin të padurueshme. Fischer premton që t’i përcjellë propozimet e Gensherit në Berlinin Lindor. Edhe Ministri i Jashtëm i Çekosllovakisë Johanes kontaktohet nga Gensheri në New York. Por ai mbetet i paqartë.
Pasdite Gensher kërkon një bisedë personale me Eduard Shevarnazen, Ministrin e Jashtëm Sovjetik. Merr përgjigjen, ai mund të vijë në Ambasadën Sovjetike. Por Genscher nuk ka makinë në dispozicion. Një makinë e policisë së Nju Jorkut e çon pastaj gjermanin me drita blu dhe sirenë tek Shevarnaze. Pasi mbërrin atje, Genscher përshkruan kushtet kaotike në ambasada. Shevarnaze pyet: “A ka edhe fëmijë?” Genscher: “Shumë”. Sovjetiku i përgjigjet: “Unë do t’ju ndihmoj”.
Po atë mbrëmje Gensher siguron mbështetjen e ministrit të Jashtëm amerikan dhe francez, Baker dhe Dumas.
29 shtator
Gensher është rrugës për në aeroport, kur merr një telefonatë nga Ministria e jashtme e RDGJ. Ditën tjetër do të gjente një informacion të rëndësishëm për të në Përfaqësinë e Përhershme të RDGJ në Bon.
30 shtator
Në Zyrën e Kancelarit në Bonn Gensher dhe Rudolf Seiters, Ministri i Brendshëm gjerman, mësojnë se Berlini Lindor ka zgjedhur opsionin e dytë: udhëtimin me tren nga RDGJ. “Refugjatët nuk ju besojnë”, i thotë ai përfaqësuesit të përhershëm të Berlinit Lindor në Bon, Horst Neubauer. Gensher dhe Seiters duan ta shoqërojnë udhëtimin. Njeriu i Berlinit Lindor në Bon duhet të pyesë edhe një herë qeverinë e tij. Pak më vonë kërkesa miratohet.
Pak para nisjes të Genscherit dhe Seiters, në drejtim të Pragës Neubauer lajmërohet edhe një herë, duke tërhequr premtimin e Berlinit Lindor. Gensher dhe Seiters nuk lejohen të udhëtojnë. Tensioni rritet.
30 vite Genscher në Pragë – Refugjatë të RDGJ-së para ambasadës së Republikës Federale në Pragë. Më 30 shtator erdhi lajmi, se ata mund të hyjnë në perëndim.
Pallati Lobkovic, Akti i dytë: Showdown në orën 18.58
Kur arrin në ambasadën e Bonit në Pragë, Gensher lidhet përsëri me Neubauer. Ai qëndron te kundërshtimi i Berlinit Lindor. Vetëm dy zyrtarë gjermanoperëndimorë lejohen ta shoqërojnë trenin.
Në orën 18:58 Gensher del në ballkonin e ambasadës dhe flet ndoshta gjysmëfjalinë më të famshme të historisë së re gjermane: “Të dashur bashkatdhetarë, ne kemi ardhur për t’ju thënë se largimi juaj sot …” Pjesa tjetër mbytet nga brohoritjet.
Në orën 19:30 largohen të parët nga ambasada në pallatin historik Lobkovic. Vetëm tri minuta më parë agjensia shtetërore e lajmeve e RDGJ, ADN, kishte shpërndarë një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Berlinit Lindor. Ajo kishte urdhëruar që personat, që qëndronin në mënyrë të paligjshme në ambasadat e Republikës Federale të Gjermanisë, të largoheshin nga vendi për arsye humanitare.
Në orën 20:50 treni i parë largohet nga Praga në drejtim të Dresdenit. I ndjekur nga katër trena të tjerë në interval dyorësh, stacioni final është Hof-i në Bavari.
Stacioni hekurudhor Hof, binari 8, Akti i tretë, 1 tetor
Është ora 6:14, kur arrijnë 1.200 gjermanolindorët e parë në qytetin kufitar Hof mes Bavarisë dhe Saksonisë, ndër ta ka edhe shumë fëmijë. Rreth 6.000 njerëz arrijnë këtu me 1 tetor. Të gjithë vijnë pa pasaporta. Ato iu ishin marrë në tren nga policët e RDGj-së. Ndihmës dhe gazetarë të panumërt i presin.
Gjashtë javë me vonë bie Muri. “Orët në ambasadën gjermane në Pragë”, ka treguar më vonë Hans-Dietrich Gensher, “kanë qenë më emocionueset e jetës time … na rrënqethej mishi.”
Volker Wagener