MENU
klinika

Mentor Nazarko

8 mite të pavërteta rreth Mbretit Zog

09.04.2017 - 14:46

Sot në përvjetorin e vdekjes së Mbretit Zog, që u nda nga jeta 65 vjeç nga kanceri në vitin 1961, ia vlen të debatohet: sa të vërteta janë thënë rreth tij?

Tekstet e historisë me autorë shqiptarë që dominojnë rozën e historianëve shqiptarë me eksperiencën e tyre, ato që dominojnë literaturën historike në qarkullim në vend, e shohin në mënyrë tërësisht të zezë figurën e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve në shekullin e 20-të. Kjo ngjyrosje mbetet ende e fortë dhe për shkak se emrat që bartin këtë pozicionim janë autoritarë në shkencë dhe ata që i kundërshtojnë janë ende emra të rinj.

Derisa të shkojmë te një gjykim i ekuilibruar mbase duhet të kalojë edhe më shumë kohë. Ka disa autorë të rinj shqiptarë që pretendojnë të paktën një shikim me shumë ngjyra të kësaj figure, por ata nuk kanë shitur aq kopje në veprat e tyre sa autorët e vjetër apo me peshë më të madhe. Po ashtu dhe autorët e huaj që kanë shkruar me realizëm për mbretërinë nuk kanë arritur të zënë vendin që duhet në tregun e pikëpamjeve mbi historinë.

Në këtë gjendje të fakteve historike, pra atyre të servirura, megjithatë ka vend për hipoteza të reja qoftë dhe për të nxitur debatin publik dhe nxjerrë atë nga këneta ekzistuese. Edhe pa asnjë lloj pretendimi shkencor. Pa u mbështetur mbi fakte të reja, por thjesht dhe vetëm mbi riinterpretimin e të vjetrave.

Janë disa mite mbi figurën e Zogut prej historiografisë dominante, të cilët përgënjeshtrohen lehtësisht po prej fakteve që kjo historiografi ka zbuluar apo ka lënë në errësirë sipas oreksit politik të kohës kur janë formuluar ato qëndrime. A ka në këto mite inerci qëndrimesh, bindje shkencore të painteresuara, gjykim me metrin e kohës së sotme, apo çfarë…?

Po ku mbështetet ky gjykim i nxirë i figurës së Mbretit Zog? Ai mbështetet mbi disa mite, të cilat, sipas premtimit të mësipërm, do të tentojmë t’i riinterpretojmë. Më saktë, ftojmë për riinterpretim, posaqë autori nuk ka asnjë pretendim shkencor në formim, në studime të vjetra apo të reja personale mbi historinë.
Miti i parë. Mbreti Zog nuk është trashëgimtar i një familjeje të madhe mbretërore dhe ai e krijoi vetë mbretërinë. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe riinterpretimi qëndron në një moment shumë të thjeshtë. Kur fillojnë mbretëritë si forma shtetërore, nga e marrin titullin mbretërit e parë të një dinastie? Nga Zoti, siç pretendonin dikur? Nga asamble të zgjedhura, siç e krijoi Zogu, apo me vetëzgjedhje? Nuk po merremi me pikturimin e Zogut si satrap injorant, kur një nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj shumicën e kohës, Faik Konica, thotë se gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore nuk lanë pa parë shfaqje të re të operas në Vjenë. Pra dhe monarkia jonë do të kishte një fillim, mjaft që ai të ishte i ligjshëm.

Miti i dytë. Mbreti Zog ka vrarë shumë kundërshtarë të vet politikë. Nuk është provuar në mënyrë të pakundërshtueshme se në disa vrasjeve të figurave politike si Gurakuqi, Avni Rustemi dhe ndonjë tjetër – Bajram Curri u vra në një operacion policor – qëndron ai mbrapa këtyre vrasjeve. Por le ta marrim për të mirëqenë këtë hipotezë. A nuk ishin paksa të ashpër rivalët e vet politikë, që nuk i zgjidhnin hesapet me Mbretin me zgjedhje, me rrugë politike, por me atentate? Sa atentate i janë bërë Mbretit? Dhe cila ishte rruga që ai ndoqi për të luftuar kundërshtarët e tij politikë, në një kohë kur dënimi me vdekje duhet të ishte normal? A e përdori Zogu dënimin me vdekje ndaj komunistëve, siç bëri Enver Hoxha me shumë prej intelektualëve apo pinjollëve të familjeve borgjeze?

Miti i tretë. Zogu erdhi me ndihmën e serbëve në pushtet dhe ishte njeriu i tyre. Është tërësisht e vërtetë se Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e Serbisë, që ishte, në fakt, toka mikpritëse e shumë prej bashkëluftëtarëve të Enver Hoxhës, siç ishte Myslym Peza, Haxhi Lleshi apo të tjerë. Dhe, në fakt, Zogu këtu nuk bëri ndonjë dallim nga Enveri, që u instalua në krye të Partisë Komuniste me ndihmën e komunistëve serbë, apo Berisha dhe Nano që u mbështetën te ndihma e partive motra greke për të ardhur në pushtet. Berisha, në fakt, edhe sot mbështetet te ndonjë mik serb. Pra, liderët shqiptarë janë mbështetur te fqinjët historikisht. Por duhet pranuar, ama, se Zogu u shkëput prej serbëve shumë shpejt. Dy traktatet që Zogu nënshkroi me Italinë në vitin 1926 dhe në vitin 1927, ishin qartësisht traktate antigreke dhe antiserbe. Atëherë cilat ishin koncesionet që Zogu u bëri serbëve?

Kaluam kështu te miti i katërt, Zogu i dha Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit serbëve sipas Marrëveshjes me Pashiçin – ky mbetet të jetë koncesioni më i madh. Na duhet të riinterpretojmë faktet apo të nxjerrim në dritë më të plotë faktet që historiografia e majtë, edhe në ditët e sotme, i mban në errësirë. Marrëveshja me Pashiçin s’ishte marrëveshje ndërshtetërore, por marrëveshje midis dy personave privatë, megjithëse të dy u bënë kryeministra disa muaj pas kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, nga 16 pika të kësaj marrëveshjeje, nuk ka realizim të asnjërës, me përjashtim të realizimit të pjesshëm për Shën Naumin dhe Vermoshin, por me shkëmbime territoresh, që ka nevojë për sqarim. Ishte me të vërtetë kontradiktore logjika krahasuese e një historiani të çështjeve diplomatike para pak ditësh në një artikull. Ndërsa nuk e quante marrëveshje, të ashtuquajturën Marrëveshje të detit me Greqinë, meqenëse nuk u ratifikua në parlamentet e të dyja vendeve, konsideronte marrëveshje atë të Zogut me Pashiçin, që s’kaloi asnjë hap të iterit diplomatik. Inercia e tij në qëndrimet e dikurshme shkonte dhe më tej. Ai fliste me hollësi për sipërfaqet që Zogu i dha Jugosllavisë në Vermosh – jo tërë Vermoshin – por konsideronte të parëndësishme ato sipërfaqe që Zogu i kishte marrë në këmbim Jugosllavisë në zonën e Pogradecit, pa dhënë emrin e tyre, por vetëm të një fshati – Peshkëpije. Cili prej historianëve dominantë ka bërë ndonjë analizë të vlerës strategjike të këtyre territoreve, por vazhdimisht paraqitet sikur Zogu dha pa asnjë kundërvleftë Shën Naumin? A kishin këto territore afër një rruge të rëndësishme që lidhte Tiranën me Korçën dhe juglindjen e Shqipërisë ndonjë vlerë strategjike dhe si raportohet kjo vlerë në raport me vlerën e Shën Naumit, arsyetim që e bënte Mehdi Frashëri, diplomati i shkëlqyer, mbrojtësi i Çamërisë dhe negociatori i marrëveshjes? Kur të bëhet kjo analizë, atëherë në mënyrë të qetë mund të pranojmë tradhtinë e Zogut me Shën Naumin. Më në fund, edhe po të konsiderosh marrëveshje atë me Pashiçin, Zogu nuk respektoi kurrfarë pike tjetër.

Miti i pestë. Zogu ia shiti Shqipërinë Italisë. Të gjitha marrëveshjet e Zogut me Italinë nuk kanë asnjë ndryshim të madh, madje ngjajnë më favorizuese se sa ato që qeveritë tona të pas ‘90-s bëjnë me Italinë apo me shtetet fqinje. Zogu nuk mund ta shihte Italinë me sytë e pas 1939-s, sa kohë që dhe fuqitë perëndimore kishin marrëdhënie normale me të. Me këtë optikë s’mund të krahasohen ato marrëveshje për nga vlerat e mëdha monetare që ai ka marrë destinuar për zhvillim infrastrukture, arsimi etj. Ky mit bie thjesht nëse shikojmë veprimin e fundit të Zogut. Nëse Zogu do të ishte blerë nga italianët, pse vallë ai nuk qëndroi si mbret në Shqipëri, duke pranuar në territorin e vendit ushtritë italiane që do të sulmonin Greqinë dhe që vendoseshin sipas traktateve të mbrojtjes reciproke firmosur me Italinë? Pse Italia financoi revoltën kundër tij, që do të shërbente si pretekst për ndërhyrjen e armatosur italiane?

Miti i gjashtë. Zogu nuk ndenji në Shqipëri për rezistencë ndaj italianëve. Plotësisht e vërtetë. Zogu me frikën e dezertimit të një pjese të kuadrit politik dhe ushtarak që ishin rreth tij, të blerë nga vendi fqinj, nuk bëri guximtarin si ndonjë mbret apo kryeministër i Greqisë. Zogu vetë nuk rezultoi trim të vritej në luftë apo të mbathte opingat, siç premtoi. Por ka disa rrethana lehtësuese. A nuk ishte drejtues i Ushtrisë Mbretërore Abaz Kupi, apo dhe vetë Mujo Ulqinaku? A nuk bëri kjo ushtri një rezistencë të respektueshme, siç thotë historiani Bernd Fisher, që flet për 300-400 të vrarë në radhët e italianëve? A nuk ishin zogistët e Kupit të vetmet njësi rezistence në Shqipëri deri afër mbajtjes së Konferencës së Pezës? A nuk ishte kjo arsyeja pse ata u ftuan në atë Konferencë dhe Kupi ishte drejtues i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH? Për këtë flet Fisher, flet historiani austriak Neuwirth etj. Ikja e Zogut, megjithëse jodinjitoze, e prishi fabulën e pushtuesit se ushtria italiane u vendos në territorin tonë sipas Traktatit të Aleancës së vitit 1926. Pra kjo ikje e Mbretit Zog solli si pasojë juridike konfirmimin legal të pushtimit, dhe jo të ndonjë bashkimi konsensual me Italinë. Vetëm grekët përdorin si argument të vazhdimësisë normale shtetërore nga Zogu tek italianët, faktin që kurorën shqiptare Viktor Emanuelit ia dha një përfaqësi e Asamblesë së Zogut, por jo vetë ai. Madje, pjesa më e madhe e zotimeve në favor të Jugosllavisë, parashikuar në marrëveshjen me Pashiçin (bashkimi personal i dy kurorave, i ushtrisë etj.) iu akorduan Italisë pikërisht prej kësaj përfaqësie parlamentare, dhe jo prej Zogut që i refuzoi.

Miti i shtatë. Zogu mori gjithë floririn e thesarit të shtetit. Këtu kemi një mitologji të pastër komuniste. Nëse do të kishte marrë të gjithë thesarin, s’kuptohet se si mbeti thesar që e gjetën italianët, u kaloi gjermanëve dhe përfundoi në Berlin, prej nga ku u mor pjesërisht prej anglezëve si dëmshpërblim për incidentin e Korfuzit. Nëse Zogu do të merrte një pjesë të floririt me procesverbale të rregullta, siç dhe është provuar, për të mbajtur një administratë minimale në mërgim apo edhe për të mos ia dorëzuar pushtuesit, nuk shikohet se ku është problemi sa kohë që ai përfaqësonte apo besohej se përfaqësonte shtetin shqiptar në mërgim.

Miti i tetë. Zogu nuk u pranua në Angli si oborr në mërgim. Kjo është e vërtetë pjesërisht, sepse Britania e Madhe mbajti në një formë të caktuar akreditimi pranë Mbretit Zog atë që para pushtimit ishte ministër i saj në Durrës. Por, edhe nëse e marrim të mirëqenë këtë fakt, nuk duhet të harrojmë se Britania e Madhe, në aleancë me Greqinë, kishte vendosur për ndarjen e Shqipërisë në favor të fqinjit jugor në përfundim të luftës. Zogu, si përfaqësues i shtetit shqiptar, i vazhdimësisë së tij në kufijtë e paraluftës, ishte pengesë formale, ndaj kështu shpjegohet dhe ftohtësia angleze në trajtimin e tij. Sa për etiketimet ironike angleze kundrejt Zogut, sikur të shohim në arkiva se si shprehen për udhëheqësit tanë të pas ‘90-s apo për Enver Hoxhën, mund të tronditeshim shumëfish.

Në përfundim, me gjithë defektet e mëdha për të cilat është folur shumë, Zogu nuk bëri akte tradhtie as ndaj Serbisë, as ndaj Italisë, as ndaj Greqisë. Nuk u fali kishën kombëtare grekëve, u qëndroi me dinjitet atyre, zhvilloi beteja me ta dhe në skenën ndërkombëtare, kërkoi pronat e shqiptarëve vazhdimisht dhe stabilizoi marrëdhëniet me fqinjët në përgjithësi. Ai e zhvilloi vendin në përputhje me aftësitë e klasës politike të nivelit më të lartë që ai përfshiu në qeverisje, nivelin e emancipimit të shoqërisë shqiptare. Ai e forcoi ndjenjën kombëtare dhe më në fund nuk bashkëpunoi me armiqtë e Shqipërisë, Jugosllavinë dhe Greqinë, për të ndenjur në pushtet apo për të ardhur sërish pas luftës, siç pretendojnë në mënyrë të pazëshme disa historianë të rinj të së majtës.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!