Në historinë e Shqipërisë një hapësirë të rëndësishme, gjatë shekujve XIV-XV, ka zënë familja e njohur e Kastriotëve, në atë kohë sunduese e një pjese të mirë të Shqipërisë së Veriut e të Mesme.
Në periudhën 1444-1468, përfaqë- suesi më i shquar i kësaj familjeje, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, mbrojti me dinjitet trojet shqiptare nga sulmet e Perandorisë Osmane, duke u bërë edhe pengesë për depërtimet osmane në perëndim. Në mesin e shekullit të XV-të, Gjergj Kastrioti ka pasur lidhje të ngushta me Mbretin e Napolit, Alfonsi V i Aragonës, me të cilin pati nënshkruar dhe një traktat me 26 Mars 1451 në Gaeta.
Alfonsi i premtoi Skënderbeut ndihma ushtarake dhe financiare në një kohë që ky e pat njohur Alfonsin si kryezot.
Trashëgimtari i Alfonsit, mbreti Ferrante, në shenjë falënderimi ndaj Skënderbeut për ndihmën ushtarake të vitit 1460 në Pulje për të shtypur revoltën e mbretit të Tarantos, i njohu familjes së Kastriotëve disa feude të rëndësishme në Itali, si Kontenë Monte Santanxhelo dhe Sinjorinë e San Xhovani Rotondos. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, mbreti Ferrante i Napolit mori nën mbrojtje familjen e Kastriotëve, duke i siguruar dhe mundësinë e përfitimit të prodhimit të feudeve të tyre, të cilat ju ishin njohur që në gjalljen e Skënderbeut.
Me rastin e vdekjes së Skënderbeut, mbreti i Napolit i dërgoi Donikës një mesazh ngushëllimi ku ai shprehej se vdekja e burrit të saj i kishte hidhëruar jo më pak se vdekja e Alfonsit dhe se Gjergj Kastrioti ishte për ata si një baba i dytë.
Donika dhe i biri Gjoni u vendosën në Napoli me një shoqëri të gjerë ku bënin pjesë kryesisht gra, vejusha dhe fëmijë jetimë. Kurora mbretërore e Aragonëve, që përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias, gjatë gjysmës së parë të shekullit të XV deri në vitin 1458 pati në krye Mbretin Alfons V, i cili kish nën zotërim edhe Napolin. Gjoni, djali i Donikës dhe i Gjergj Kastriot-Skënderbeut qe martuar me Irenën, vajzën e Lazar Brankoviçit, despot i Serbisë dhe të Elena Palelologut, vajza e Tomasit, despot i Moresë.
Gjoni pati katër djem dhe një vajzë me emrin Maria. Njëri nga djemtë, Konstantini, në moshën 20 vjeçare, në vitin 1497 u shpall peshkop i Izernias, qytet në veri të Napolit, ndërmjet Frozinones dhe Kampobasos. Konstantini ka vdekur në vitin 1503 dhe është varrosur në kishën Santa Maria la Nova të Napolit në qendër të qytetit pranë piaca Monteoliveto. Kjo kishë ka marre emrin “e reja” pasi është ndërtuar në vendin ku ka ekzistuar një kishë më e hershme – Kuvendi i fretërve minorë.
Kur Karli I ndërtoi Kastelnuovon më 1279, ai në këmbim të prishjes së këtij Kuvendi i dha fretërve territor për ngritjen e kishës Santa Maria la Nova, e cila më vonë, në fundin e shekullit të XVI-të, pësoi ndryshime. Në anën veriore të kishës ndodhet një oborr-portik i mbyllur, në qendër të të cilit ndodhet një pus ornamental. Portiku nga të katër anët kufizohet me korridore që ndahen nga oborri me anën e harqeve mbi kolona. Në faqet e mureve të korridoreve janë varrosur figura të ndryshme historike, të cilët identifikohen nëpërmjet epigrafeve të shkruara latinisht. Në qendër të korridorit verior ndodhet monumenti mortor i Konstantin Kastriotit. Ky objekt përfaqëson një vepër arti e realizuar me mermer të gdhendur, vepër e mjeshtrit Jakopo de la Pila. Në përmasa, skulptura është me gjatësi 2.2 metra dhe arrin një lartësi rreth 4.5 metra.
Konstruksioni i objektit është i konceptuar me dy pjesë.
Në pjesën e poshtme ndodhet pllaka me mbishkrimin mbi të cilën brenda një kuadrati janë gdhendur në mermer Kostandini i shtrirë mbi sarkofag dhe katër gra në bust, që dalin në reliev nga rrafshi i murit. Në librin e Karlo Padiljones të vitit 1879 është botuar përkthimi nga latinishtja i epigrafit të shkruar në pllakën e këtij varri monumental që Donika Kastrioti e ka realizuar për nipin e saj.
Në pllakën kushtuar Konstantinit shkruhet “Konstantin Kastrioti i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet, kryeprifti i Izernias që vdiq para kohe, Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e “njëmijë e pesë- qind”. Këtë objekt Donika ia ka kushtuar Konstantinit kur ajo tashmë ndodhej e larguar në Valencia.
Në këtë qytet në vitin 1503 ajo gjithashtu i pat ngritur varrin vëllait të Konstantinit, Alfonsit, i cili u vendos në Manastirin Mbretëror San Trinidad të Valencias, ku në vitin 1458 qe vendosur dhe trupi i mbretëreshës aragonase, Maria de Kastiljo dhe ku ka shumë mundësi që të jetë varrosur dhe vetë Donika Kastrioti, e cila ka vdekur para vitit 1506. Në monumentin mortor të Konstantinit, në kishën Santa Maria la Nova, pjesa e sipërme, trajtë kuadrati, nga anash kufizohet me dy brinjë mermeri me trashë- si 15 cm.
Pikërisht në gjysmën e lartësisë së tyre është gdhendur stema e familjes së Kastriotëve. Në një pllakë guri formë ovale është gdhendur në reliev shqiponja dykrenore.
Në ovalin me lartësi 28 cm dhe gjerësi 18 cm mbi kokat e shqiponjës është vijëzuar një trekëndësh me kulm në mesin e kokave. Brenda këtij trekëndëshi ndodhet ylli me tetë cepa. Mbi ovalin me shqiponjën dhe yllin ndodhet kurora e familjes fisnike të Kastriotëve. Në këtë stemë të familjes së shquar shqiptare, simboli ynë i sotëm kombëtar, ylli me tetë cepa duket se përfaqëson diellin me rrezatimin e tij.
Dielli me cepa rrezatues është një simbol i njohur që në kohët antike. Kujtojmë me këtë rast simbolin e Mbretërisë Maqedonase. Në Vergina pranë Selanikut është zbuluar varri monumental i Mbretit të Maqedonisë, Filipi II, babai i Aleksandrit të Maqedonisë. Në këtë varr të fundit të shekullit të IV para erës sonë, sot Pasuri e Kulturës Botërore në Mbrojtjen e UNESKO-s, janë gjetur dy kuti prej ari mbi kapakun e të cilave është gdhendur dielli me cepa rrezatues, simboli i Mbretërisë Maqedonase.
Varri ka dy ambiente, në ambientin e para hyrjes është gjetur kutia me diellin me dymbëdhjetë cepa, ndërsa në dhomën e varrit të Filipit kutia e zbuluar ka në kapakun e saj diellin me rrezatim me gjashtëmbëdhjetë cepa. Pra ideja është që simboli të jetë diell, pa i kushtuar rëndësi të veçantë numrit të cepave rrezatues.
Si përfundim, mund të shprehim se Kisha Santa Maria la Nova e Napolit paraqet interes për historinë tonë jo vetëm për objektin funerar të nipit të Skënderbeut, por edhe për skalitjen historike të emblemës së Kastriotëve, simboli ynë kombëtar.