Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, të enjten në mbrëmje, deklaroi se qeveria e drejtuar prej tij ka vjelur shumë më shumë taksa nga bizneset e mëdha, se çfarë ka ndodhur më herët. Ai shtoi se oligarkët e cituar nga opozita kanë qenë këtu edhe më të privilegjuar në kohën kur opozita drejtonte vendin.
Kryeministri Rama duke folur për fondin e solidaritetit u shpreh se “të pasurit e Shqipërisë duhet të japin një kontribut plus nga dividenti i tyre për të adresuar probleme dhe halle të njerëzve që janë më të dobët, ku kompanitë e mëdha të përfshihen së bashku me qeverinë në një mekanizëm solidariteti i cili pritet të krijojë një bërthamë shembullore për të krijuar një shoqëri më solidare. Tani të jetosh me këtë dëshirë gjithë ditën, të bësh hapin e parë dhe të vish këtu të flasësh për Ilir Metën, është ça të them, është njësoj si nuk e di, është komplet pa asnjë interes”, – tha Rama.
“Edhe kjo gjë do ishte shumë e rëndësishme për t’u diskutuar dhe do ishte shumë mirë të bënim një diskutim me fakte dhe shifra. Dhe të shikonim se si qëndron niveli i kontributit të kompanive të mëdha në buxhetin e shtetit në raportin sot me dje. Sa kontribuonin dje në buxhetin e shtetit, këto që sot janë kthyer në oligarkët e mi dhe që nuk i solla unë, por i gjeta këtu. Unë nuk heq, nuk merrem me heqjen dhe me emërime biznesmenësh”, – tha Rama.
“Unë di këtë se çdokush ka të drejtë në këtë vend të punojë dhe të fitojë, dhe detyrim të paguajë dhe të bëjmë krahasimin se sa kanë paguar këta dje, dhe se sa paguajnë këta sot. Të shohim pak sesi deri dje këta merrnin leje ndërtimi në Tiranë dhe paguanin 2% e 4% maksimumi, sot paguajnë 8%. Të shohim se sa të ardhura ka nga këta në arkën e shtetit sot, për të gjitha ato kopshte, çerdhe, pemë që mbillen dhe sa kishte dje në arkë. Këto të shohim, me fakte, sepse është shumë kollaj sot në këtë botë të marrë ku jetojmë, ku mirë ne, që kemi qenë në një gjendje çmendurie të gatshme, por ju e shikoni po çmenden dhe të tjerët dhe vende të mëdha, që kanë pasur ekuilibra të fortë në të shkuarën, pasi është bërë kjo botë, një botë ku çdokush hedh helm përmes mrrokllave, portaleve, kanaleve, nëpërmjet ekraneve, nëpërmjet të gjithë formave të komunikimit që janë bërë kaq të shpejta dhe ndërkohë që gënjeshtra bën xhiron e botës, se e vërteta s’ka veshur pantallona dhe është xhiro e gënjeshtrës tjetër që nis, e të tjetrës”, – vijoi Kryeministri Rama.
Duke folur për akuzat e largimit të shqiptarëve nga vendi, Kryeministri Rama solli në vëmendjen shembullin e Kroacisë.
“Po ikërkan sot nga Shqipëria më shumë se ç’kanë ikur dje!? Kush e tha këtë dhe mbi ç’bazën e kujt shifrave e tha këtë? Mbi ç’bazë të kujt shifrave del që sot nga Shqipëria po ikërkan më shumë se çfarë kanë ikur dje. Dhe Ndërkohë që fenomeni i ikjes duhet analizuar në një kontekst më të gjerë, se Kroacia është anëtare e BE dhe në vitin 2018, 100 mijë kroatë kanë regjistruar emrin e tyre në zyrat e punës të Republikës Federale të Gjermanisë. Ata ikin për të njëjtën arsye, ikin për ekonomi. Ndërkohë që shqiptarët, duke mos qenë pjesë e tregut të përbashkët, nga nevoja për të qëndruar atje kërkojnë azil, por janë njësoj, shkojnë për të njëjtat arsye”, – shtoi Rama.
“Si t’ja bëjmë që Portugalia ka nivelin e vet më të mirë të rritjes ekonomike në 10 vitet e fundit dhe janë 50 mijë portugezë, vend anëtar i BE që kanë ikur vjet nga Portugalia dhe kanë ikur drejt Europës Qendrore, pra Gjermanisë. Vendet e Veriut janë vende që synohen nga e gjithë pjesa e mëposhtme. Kjo sepse jetojmë në një botë tjetër dhe ambicia për të fituar më shumë, më shpejt, është shumë e arsyeshme. Shkojnë drejt më të mirës, e duan më të mirën sot, nuk kanë kohë ta presin nesër”, – shtoi Rama.
“Më tha kryeministri kroat sot: një i ri në Zagreb merr makinën dhe ndalon në Spanjë. Pra është e pakufizuar bota, nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës. Ka dhe shqiptarë që kthehen, janë më pak se ata që ikin, por kthehen, do shkojnë e do vijnë, jemi një botë e lirë. Kush janë këta që flasin dhe që do vikan këto, dhe do e frenokan këtë punë, dhe Shqipëria do u bëka vendi i parë në botë që do frenokan këtë punë. Çfarë kanë bërë këta kur kanë pasur në dorë të bëjnë diçka? Kush është bilanci i tyre, hajde flasim për bilancin tim”, – theksoi Rama.
“Në çdo fushë, konkretisht, çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë, çfarë po bëhet dhe çfarë do bëhet…? Ilir Meta, Ilir Meta, Ilir Meta, Lulzim Basha, Lulzim Basha, Lulzim Basha. Unë nuk jam i dënuar t’i kem përballë, i kam mbrapa këta. Unë përballë kam sfidat e vendit dhe unë përballë kam 200 shqiptarë në ditë që shkruajnë në telefon dhe që përpiqem t’i jap përgjigje, t’i asistoj, t’i ndihmoj, dhe në fund të ditës, kur mbaron gjithë kjo ditë me helm, shpifje, sharje, me një skizofreni totale mes çfarë kanë në kokë këta dhe çfarë thonë këta”.
“Unë e di çfarë mendojnë këta. Kur flasin për patriotizëm, për luftën ndaj krimit, unë s’e di. Në fund të ditës kam një ngushëllim shumë të madh se them se sot kam arritur të asistoj x njerëz. Ka ca profesorë që thonë: po, se Kryeministri me këto do merret. Kryeministri merret me të gjitha çështjet dhe problemet e njerëzve, si mund t’i shkruash kryeministrit SMS. Jemi një shtëpi e vogël dhe unë fatmirësisht jam i gjatë dhe i fortë dhe mbaj shumë, dhe kam mundësinë akoma të rri në këmbë më shumë sesa të tjerët, ditën dhe natën, për të ndihmuar dhe për të bërë maksimumin. Nuk i bëj mirë të gjitha, pasi ka gjëra që mund t’i bëj shumë më mirë. Jam një person që duhet të më pëlqejnë domosdoshmërisht? Jo, fare. Por unë bëj maksimumin, vlerësimin e bëjnë të tjerët. Një gjë është e sigurt, çdo ditë, çdo sekondë unë mendoj 90% të kohës dhe ju siguroj për këtë, për projekte, njerëzit, për mënyrën sesi mund të shtypim çdo ditë buburrecët që janë nëpër zyrat e shtetit dhe 10% të kohës detyrohem të mendoj për këta”, – përfundoi Rama.