Dëshira e shqiptarëve për të ikur është aq e lartë, saqë po ia kalojnë dhe dhe vendeve që janë në luftë apo në konflikte të thella civile.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ishte vendi i parë në botë për kërkesat për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, raport me popullsinë.
Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që në vlerë absolute renditen të parët për kërkesat për azil, por sigurisht të parët edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Monitor”, për të bërë të krahasueshme shifrat, ka përllogaritur aplikimet për herë të parë gjatë gjashtë muajve të parë të 2019-s duke u bazuar te të dhënat e Eurostat për aplikimet në vlerë absolute dhe popullsinë sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Thuajse me dy herë më pak aplikime se Shqipëria renditet Siria, ku sipas përllogaritjeve të “Monitor”, duke u bazuar në numrin e popullsisë, kanë aplikuar për azil mesatarisht 29 sirianë për çdo 100 mijë banorë të Sirisë.
Në vend të tretë renditet sërish një vend europian, Gjeorgjia, ku sipas përllogaritjeve në gjashtë muaj, për çdo 100 mijë gjeorgjianë kanë aplikuar për herë të parë 15 individë për azil. Sipas një artikulli të Deutsche Welle, aplikimet për azil nga Gjerogjianët u trefishuan në 2017-n, kryesisht në Gjermani, pas heqjes së vizave. Shteti gjerman mbetet tërheqës për ta për shkak të pagave të larta dhe standardeve më të mira të jetesës. Situata u bë shqetësuese, saqë qeveria e Gjeorgjisë mori masa vitin e kaluar për të luftuar migrimin ilegal të gjeorgjianëve.
Në vendin e 4-të dhe të 5-të renditen Venezuela dhe Afganistani, me përkatësisht 10 aplikime për 100 mijë banorë. Venezuela po përjeton një nga krizat më të mëdha ekonomike, ku popullsia atje po vuan një nga krizat humanitare, ndërsa Afganistani, vend i dalë nga lufta, vijon të jetë një vatër e nxehtë konfliktesh. Megjithatë Shqipëria ka një numër aplikimesh shumë më të lartë, edhe pse ekonomia nuk është në recesion dhe nuk ka konflikte civile apo ushtarake.
Në vend të gjashtë, në raport me popullsinë, renditet shteti më i ri Europës, Kosova, ku ka rreth 9 aplikime për 100 mijë banorë. Kosova është ende në bisedime për çeljen e vizave me vendet e BE-së, pra qytetarët kanë një lëvizje të kufizuar në vendet e Bashkimit Europian dhe sërish kanë një numër shumë të lartë të aplikimeve në raport më popullsinë, duke u renditur në 10 vendet me numrin më të lartë.
Pas Kosovës, renditet një tjetër vend i Ballkanit Perëndimor. Në gjashtë muajt e parë të 2019-s aplikuan për azil nga Maqedonia e Veriut për çdo 100 mijë banorë 7 azilantë, duke u renditur në vendin e 7-të.
Në vendit e tetë dhe të nëntë renditen me 5 aplikime për 100 mijë banorë Iraku dhe Kolumbia.
Më pas renditen dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina, me 4 dhe 3 aplikime për çdo 100 mijë banorë.
Turqia, Irani dhe Mali i Zi përllogarit 2 aplikime për çdo 100 mijë banorë, ndërsa Pakistani dhe Nigeria, 1 aplikim për çdo 100 mijë banorë.
Aplikimet për azil u rritën me 24% në 8 muajt e parë të vitit
Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të patë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin.
Të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti. Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.