MENU
klinika

Viti i ri shkollor

Shkolla nis me probleme në Shkodër

17.09.2018 - 16:58

Mes shumë problematikash, kjo e hënë ka shënuar nisjen e vitit të ri arsimor edhe në Shkodër. Njëzet e gjashtë mijë nxënës nisën mësimin ndersa 1750 prej tyre u ulen për herë të parë në bankat e shkollës, raportoi drejtoria rajonale e arsimit. Në thuajse të gjitha institucionet u organizuan ceremoni festive për të pritur nxënësit perveçse në Dajç të Shkodrës.

Dhjetë vjeçari Franko Kolaj, në Samrishtin e vjetër në Dajç, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij ketë të hëne nisi shkollën. Por ndonëse u paraqit në oren 08.00 në mjediset e shkollës ku ka ndjekur mesimet 4 vitet e shkuara, këtë 17 shtator, i gjeti dyert e mbyllura.

“Erdha në shkollë por dera ishte e mbyllur. Nuk na kanë thënë asgjë. Këtu kam patur klasën. Erdha këtu se na kanë thënë mësuesit, por nuk është askush. Vjet ishim 12 vetë tek kjo shkollë” tregon Frankoja.

Në njësinë administrative të Gurit të Zi, viti shkollor nisi me protesta. Shtatëdhjetë nxënës të fshatit Sheldi, të shoqëruar nga prindërit e tyre, kanë protestuar duke kërkuar që mësimi të zhvillohet në shkollën e re “Dom Ndre Zadeja”. Ajo u ndërtua nga misioni i motrave salvatoriane, dhe u mbeshtetet edhe nga Papa Françesku.

“Kisha ka deklaruar zyrtarisht se shkollën e ka ndërtuar për ne dhe e ka vënë në dispozicion të femijëve të fshatit Sheldi. Kjo shkollë është me kushte moderne dhe kemi patur fatin e mirë që nxënësit të mësojnë këtu por drejtoria e arsimit ka urdhëruar mësuesit që të vazhdojnë mësimin tek ajo shkolla e vjetër dhe e shkatërruar. Aty rrezikohet jeta e fëmijëve” thonë prindërit e revoltuar të cilët kanë vendosur të bojktojnë mësimin derisa DAR të zhvendosë mësuesit tek shkolla e re.

E veçantë ka qënë dita e parë edhe për nxënësit e shkollës së mesme “Nikollë Zogorjani” në Velipojë, të cilët ndryshe nga realiteti që lanë një vit më parë, u rikthyen në këto mjedise duke gjetur një imazh tjeter. Një shkollë e re e standarteve europiane, që mirëpriti 370 nxënës. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, i pranishëm në ceremoninë e organizuar, bashkë me urimin për vitin e ri shkollor, apeloi që ambientet e reja të ruhen si një pasuri e përbashkët.

Përgatiti: K.ZH.