MENU
klinika

Gjakmarrja në Shkodër

Gjakmarrja mban larg shkollës 4 fëmijë

17.09.2018 - 17:12

Dyert e shkollave janë hapur për qindra fëmijë në të gjithë vendin, por në Shkoder 4 të mitur nuk munden që të ulen në bankat e shkollës për shkak se janë të ngujuar. Për ta shkolla është e ndaluar pasi janë në gjak me një tjetër familje. Teksa 6 fëmijë të tjerë janë larguar fatmirësisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke i shpëtuar në këtë mënyrë ngujimit.

Misionari i paqes Nikollë Shullani tregon për Konica.al:

“Një vajzë dhe 3 djem nuk mund të frekuentojnë më shkollën për shkak të gjakmarrjes. Ne tentuam të negociojmë më familjet por ishte e pamundur. Për 3 djemtë, mësuesja Liljana Luani shkon dhe ofron mësim në shtëpi, por për vajzën jo pasi jeton në një zonë të thellë malore dhe është pothuajse e pamundur të shkohet në këmbë në shtëpinë e saj.”

Misionari Shullani tregon se numri i të ngujuarëve është ulur këtë vit, prej një marrëveshje e cila jo gjithnjë zbatohet por që ka për qëllim të lejojë fëmijët të vijojnë shkollën deri në klasë të 9-të. Ndonëse nuk ka shifra zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Shkodër apo policia e shtetit, Shkodra vijon të jetë peng i këtij fenomeni i cili në jo pak raste gjunjëzon më të pafajshmit, fëmijet.

Përgatiti: K.Zh.