MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Si aktivistët e të drejtave qytetare gjunjëzuan regjimin e RDGJ-së

10.10.2019 - 10:38

Më 9 tetor 1989, rreth 70 000 njerëz demonstruan në Lajpcig për më shumë liri dhe demokraci. Ndryshe nga parashikimet, forcat e sigurisë së RDGJ-së nuk ndërhynë. Një vështrim retrospektiv mbi një datë vendimtare.

Sapo ka kaluar ora gjashtë e mbrëmjes, kur portat e Kishës së Shën Nikollës hapen dhe njerëzit turren jashtë. Dhjetëra mijëra protestues po i presin para kishës dhe te sheshi Karl Marks: të rinj, familje të reja, punëtorë, pensionistë. Të paktën 70 000 njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore të RDGJ-së kanë mbledhur gjithë guximin e tyre në këtë 9 tetor 1989 për të dhënë një shenjë proteste kundër regjimit monist socialist të RDGJ-së.

Një demonstratë kaq e madhe nuk ishte parë prej dekadash në RDGJ, ku protestat që kritikonin regjimin ishin përgjithësisht të ndaluara. Shumë protestues prisnin të ndodhte më e keqja, përfshirë edhe që policia të qëllonte mbi ta. Tanke dhe trupa me mitralozë të shpërndara nëpër qytet rrinë në gatishmëri për të ndaluar protestat. Masakra e Tian’anmenit në Qershor 1989 në Kinë është ende e freskët në kujtesën e tyre. Por, si për mrekulli, pushteti i lejon demonstruesit këtë të hënë të shprehin pakënaqësinë e tyre dhe nuk ndërhyn.

Turma njerëzish vërshojnë drejt qendrës së Lajpcigut dhe thërrasin “Ne jemi populli”, “liri, zgjedhje të lira” dhe “Jo dhunë”. Shumë prej tyre mbajnë qirinj ndër duar.

Dëshmitarët kujtojnë

30 vjet kanë kaluar që atëherë. Por ata që ishin atje atë ditë e mbajnë mend mirë atmosferën. “Atë ditë, atmosfera ishte tejet e nderë. Njerëzit e dinin se sot është dita e vendimit,” kujton Kathrin Mahler Walther. Ajo ishte vetëm 18 vjeçe në atë kohë dhe aktiviste në Lëvizjen e të drejtave civile.

Qyteti i saj i lindjes, Lajpcigu – qyteti i dytë më i madh në RDGJ pas Berlinit Lindor – ishte bërë një nga fortesat e rezistencës në vitet 1980. Pika më e rëndësishme e takimit është Kisha e Nikolait, ku çdo të hënë pasdite, në orën 5, mbaheshin Lutjet e Paqes. “Që kur atë mbrëmje nuk u qëllua, u bë e qartë se tani e tutje do të fillojë hapja”, kujton Mahler Walther.

Regjimi i RDGJ-së në 1989, 40 vjet pas themelimit, gjendej në një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Gjithnjë e më shumë njerëz përpiqeshin të largoheshin. Lëvizja për të drejtat e Qytetarëve sa vinte e gjente më shumë përkrahës. Ndërsa Mihail Gorbaçovi në shtetin vëlla, Bashkimin Sovjetik, kishte nisur një kurs reformash  dhe në të njëjtën kohë vendet e Bllokut Lindor si Polonia dhe Hungaria po hapeshin, kreu i RDGJ-së Erich Honecker i refuzonte kategorikisht reformat.

Fuqia e medias (perëndimore)

Sigurisht, televizioni shtetëror i RDGJ-së nuk harxhoi as një fjalë për protestat në edicionin e lajmeve. Por pamjet e demonstratës së Lajpcigut të 9 tetorit 1989 u shpërndanë në të gjithë botën falë dy operatorëve të fshehur në kullën e një kishe në qendër të Lajpcigut, prej nga kishin regjistruar ngjarjen.

Njëri prej tyre ishte Siegbert Schefke. Të shihje se sa njerëz ishin në rrugë duke lëvizur, thotë ai sot, ishte një “moment ngjethës”. Sepse atij iu bë e qartë: “Kur këto plane të dalin nesër në televizionet perëndimore, ato do të ndryshojnë jo vetëm RDGJ-në, por edhe Gjermaninë, Evropën dhe botën”. Videokaseta u kalua fshehurazi në Gjermaninë Perëndimore. Pastaj shumë gjëra ndryshuan. Gjithnjë e më shumë njerëz nisën të merrnin pjesë në demonstratat e së hënës, jo vetëm në Lajpcig.

Vetëm tetë ditë më pas Erich Honecker u rrëzua nga Byroja Politike. Por kjo nuk i mjaftoi popullit: Më 4 nëntor 1989, të paktën gjysmë milioni protestues dolën në Berlin për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Dhe vetëm disa ditë më vonë, më 9 Nëntor 1989, do të rrëzohej përfundimisht edhe Muri i Berlinit.

Mara Bierbach, Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Project Syndicate

Mrekullia e vitit 1989

Albert Çaçi

Ostpolitika e Merkel