MENU
klinika

Ndeshja ndaj Turqisë

Konferenca/ Reja: Ja çfarë pres nga Kombëtarja nesër

10.10.2019 - 19:13

Edoardo Reja, trajneri i Shqipërisë, ka folur sot në konferencën për shtyp përpara ndeshjes Turqi-Shqipëri, që do të luhet ditën e premte.

“E dimë që kemi të bëjmë me një kombëtare të organizuar, që ka disa futbollistë cilësorë, mes tyre Calhanoglu që luan në Serie A dhe unë jam italian, ndaj e kam ndjekur. Por, edhe Tosun dhe Burak Ylmaz. Përmenda sulmuesit, sepse janë ata që shënojnë.

Na duhet të jemi 100% në kondicionin e duhur dhe të japim më të mirën. Dua që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të japim gjithçka.

Mungesa e Hysajt? Sigurisht që është një futbollist me vlera që do të na mungojë, por ajo që dua të shoh është fryma e grupit dhe se si dhe sa jemi rritur në krahasim me ndeshjet e fundit. Nëse jemi rritur, atëherë do të thotë që rruga që kemi nisur është e duhura. Kemi afruar edhe futbollistë të rinj dhe tani dua të shoh vlerën e të gjithëve. Do të isha i kënaqur nëse shoh përmirësim.

E kam parë Turqinë jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndeshjet e tjera. Luajnë shumë mirë dhe janë të rrezikshëm në goditjet standarte. Duhet të ruajmë përqendrimin 90′ dhe jo vetëm një pjesë. Të jemi të bashkuar dhe taktikisht shumë mirë. Këtë dua të shoh te djemtë.

Debutues? Jo, jo! Pjesën e dytë ndoshta mund të luajnë”, ka thënë trajneri Reja.