Bertrand Russell (Bertrand Arthur William Russell), lindi më 18 maj 1872, dhe u nda nga jeta më 2 shkurt 1970.
Ishte matematikan, shkrimtar dhe filozof i shquar britanik. Në vitin 1950 u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi. Russell është njëri nga etërit e filozofisë analitike. Ai ka shkruar disa libra mbi çështjet filozofike, matematikore dhe sociale. Si kryevepër e tij konsiderohet libri “Përse nuk jam i krishterë”, të cilin në vitin 2008, Shtëpia Botuese Dituria e përktheu në gjuhën shqipe.
Kontributet e Russell përfshijnë fusha të ndryshme, si logjikë e epistemologji dhe, sidomos, filozofinë e matematikës.
Të gjitha këto kontribute e bëjnë një nga filozofët më të shquar të shekullit XX.
Në vitin 1890, Russell filloi studimet për matematikë në Trinity College, Universiteti i Cambridge, por më pas iu kushtua tërësisht filozofisë. Librin “Një përvijim i filozofisë”, e shkroi në fund të viteve ‘20, në një kohë kur ishte i afirmuar si filozof i një natyre të veçantë. Ndërkohë, hoqi dorë nga idealizmi, në modë prej më se dy shekujsh, për t’u marrë me një fushë të re të studimit, logjikën. Njerëzit që ndikuan më shumë në botëkuptimin e Russell gjatë kësaj kohe ishin pjesë e “grupit gjerman të matematikanëve”, si Richar Dedekind, Karl Weierstrass dhe Georg Cantor.
Ai ishte një aktivist i shquar kundër luftës, përkrahës i tregtisë së lirë në mes të kombeve dhe antimperialist. Russell u burgos për aktivitetin e tij paqësor gjatë Luftës së Parë Botërore.
Bëri fushatë kundër Adolf Hitlerit, kritikoi totalitarizmin sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tyre në Luftën e Vietnamit, dhe ishte një përkrahës i palëkundur i çarmatimit bërthamor.
Filozofia e Bertrand Russell-it, në qoftë se do ta quajmë si të përmbledhur në këtë libër, pa dyshim që është një filozofi analitike, e cila duke u shkëputur nga filozofia tradicionale nuk mbështetet më në hapësirën e vjetër logjike, por në një logjikë të re, e cila na lejon që ta shikojmë filozofinë sipas nevojës. Ky është koncepti i Russell-it për filozofinë, sepse ai koncepton se filozofia lind nga një përpjekje tepër ngulmuese për të arritur njohjen e vërtetë.
Russell ka të drejtë kur gjykon se koncepti i përsosmërisë së fundme është një vuajtje që filozofia e ka marrë si pasojë e ndikimit ose bashkëshoqërimit të saj me teologjinë.
Vetëdija ose mendimi i ngritur në nivelet e gjykimit patjetër që është një proces. Ecuria e mendimit njerëzor nëpërmjet gjykimeve të mëdha ka ecur nëpërmjet shkencës dhe filozofisë, të cilat nuk do të bashkohen ndonjëherë. Ecuria e ligjeve fizike ose shkencore mban brenda vetes dy aspekte: memorien dhe dëshminë. Pa memorien as që mund ta mendonim interpretimin e kujtimeve si të zbatueshme për të shkuarat, sepse nuk do ta dinim fare nëse kishte ndonjë të shkuar. Memoria ose kujtesa e çdo njeriu nuk mund të jetë perfekt në ecurinë e kohës. Çdo njeri që hap letrat që ka shkruar shumë vite më parë, mund të vërtetojë sesi i ka shtrembëruar kujtesa e tij ngjarjet e shkuara.
“Përse nuk jam i krishterë” është një libër që trajton disa çështje thelbësore, dhe u jep përgjigje një sërë pyetjeve. Për më tepër argumenton se pse fetë janë të dëmshme për shoqërinë. Sipas Russell, dëmi që shkakton një fe është dy llojesh: njëri që varet nga lloji i besimit, që është menduar se i duhet dhënë asaj, dhe tjetri nga dogmat e veçanta që besohen.
Bertrand Russell mbetet një nga mendimtarët më të shquar, shkrimet e të cilit iluminojnë dhe vetëdijesojnë botën njerëzore.
Është pothuajse një profet në mënyrën se si ka krijuar ura të përjetshme mbi idetë dhe mendimet, afatet kohore të krijuara një dekadë më parë por që tani janë shumën relevante në këto kohë moderne.
Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:
– Unë jam vendosmërisht i bindur se të gjitha fetë, ashtu siç janë të dëmshme, janë edhe të rreme. Bota ka nevojë për zemra e mendje të hapura, jo për sisteme të ngurta, të vjetra apo të reja, sidoqofshin ato.
– T’i druhesh dashurisë është t’i druhesh jetës, e ai që i druhet jetës është i vdekur tashmë.
– Smira është një burim pakënaqësie për shumë njerëz.
– Problemi i njerëzimit është se budallenjtë dhe fanatikët janë tmerrësisht të sigurt për veten e tyre, ndërsa njerëzit më të mençur janë plot me dyshime.
– Njerëzit i përshtaten gjithçkaje me një shpejtësi të frikshme.
– Lufta nuk përcakton atë që ka të drejtë por vetëm atë që mbijeton.
– Frika është burimi kryesor i bestytnisë dhe mizorisë. Mposhtja e frikës është fillimi i mençurisë.
– Entuziazmi është për jetën është e ngjashme me atë çka oreksi është për ushqimin.
– Dehja është një vetëvrasje e përkohshme.