Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka ngritur shqetësimin se ritmet e ulëta në procesin e vetingut po pengojnë dhe vonojnë ngritjen e strukturës së posaçme anti-korrupsion, e cila është kusht i Gjermanisë për hapjen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Si rezultat i një vëzhgimi të këtij procesi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit:
Nga 15 prokurorë që kanë aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vetëm 5 prej tyre kanë kaluar përfundimisht filtrin e vetingut.
Nga 15 prokurorë që kanë aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vetëm 5 prej tyre kanë kaluar përfundimisht filtrin e vetingut që është kusht për të qenë pjesë e kësaj strukture. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i investuar në monitorimin e procesit të vetingut kryesisht për kandidatët e strukturës së posaçme anti-korrupsion, vë në dukje se nga 15 kandidatë që kanë shprehur interes, për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se 10 prej tyre janë konfirmuar në detyrë në shkallë të parë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sipas komitetit shqiptar të Helsinkit, kjo situatë sjell vonesa në ngritjen e SPAK dhe ende nuk mund të thuhet se kur do të ngrihet kjo strukturë, e cila është më e rëndësishmja e refomës në drejtësi sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta. Gjithashtu vëzhgimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, nxjerr në pah se ritmet e procesit të vetingut, edhe për gjyqtarët e emëruar përkohësisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe të Apelit, e cila do të shndërrohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezultojnë të ulëta.
Për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, rezulton i konfirmuar vetëm një gjyqtar dhe është shkarkuar një gjyqtar, nga 15 gjyqtarë në total që janë emëruar përkohësisht dhe duan të jenë pjesë e kësaj strukture të gjyqësorit. Ndërkohë për pjesën tjetër, përkatësisht për 13 gjyqtarë nuk rezulton të jetë zhvilluar seancë dëgjimore nga KPK. Për Gjykatën e Posaçme të Apelit rezulton se janë konfirmuar 5 gjyqtarë me vendim të formës së prerë, nga 11 që është në total numri i gjyqtarëve të emëruar përkohësisht nga KLGJ.
Ndërkohë që 5 prej tyre janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 1 subjekt nuk ka filluar procedura e rivlerësimit.
Ngritja dhe funksionimi i strukturës së posaçme anti-korrupsion është kusht i Gjermanisë për hapjen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.