MENU
klinika

Nga Alban Daci

Kurdët mes mitit, realitetit dhe gjeopolitikës

13.10.2019 - 17:32

Kurdët janë një popull rreth 30 milion banorë që jetojnë të ndarë mes pesë shteteve: Turqisë, Iranit, Irakut, Sirisë dhe Armenisë.

Ky popull edhe pse ka gjuhën e tij, nuk ka kurrë histori shtetëformimi. Origjina e tyre mendohet se janë nga fise iraniane. Kurdët kanë bërë lëvizjet e tyre për të kërkuar më shumë të drejta në vendet ku jetojnë, por nuk kanë mundur kurrë të kenë një lëvizje për shtetformimi.

Gjithashtu, nëse mund të flitet për kurdët, ata duhet të munden gjithmonë, të fitojnë pavarësinë e pastaj të mendojnë për bashkim. Në rrethanat ndërkombëtare e gjeopolitike që jetojmë dhe për shkak të problematikave që ka zona, nuk mendoj se mund të ndodhë e para dhe as që mund të mendohet e dyta.

Pra, shanset e krijimit të një shteti kurd janë thuajse zero e më shumë se zero është mundësia e tyre që të bashkohen në një shtet të vetëm. Shtetet ku ndodhen kurdët janë me një histori të rëndësishme shtetërore dhe po ashtu formimi i tyre ka qenë e vazhdon të jetë një zgjidhje e mirë për ekuilibrat e zonës. Askujt nuk i intereson copëtimi i Irakut apo i Sirisë për krijimin e një entiteti të ri shtetëror si mund të quhet shteti Kurd.

Së pari, duhet të theksojmë se në të gjitha rastet lëvizjet kurde kanë ardhur nga PPK e Ocalan. Pra nga një parti e quajtur komuniste. Disa po theksojnë faktin se kurdët po luftojnë kundër terroristëve të ISIS e për pasojë janë pro Europës.

Në fakt kurdët nuk po luftojnë kundër ISIS, por po luftojnë për krijimin e shtetit të tyre. Populli kurd, për shumë arsye që lidhen edhe me proceset e vendeve ku shtrihen, janë një popull thuajse i prapambetur, me një kulturë të qartë aziatike e pa asnjë lloj histori demokracie.

Pra, ideja se kurdët luftojnë kundër ISIS nuk i bën ata aspak pro Perëndimit dhe perëndimor. Tentativat për krijimin e shtetit kurd në këto momente në rajon janë të bëra nga Irani me qëllim për të rritur influencën e tij dhe për të dobësuar fillimisht armikun e tij të përhershëm shtetin e Irakut e po ashtu edhe më vonë edhe Turqinë.

Përtej faktit se Turqia me Erdogan ka pësuar disa devijanca, mbetet shteti më demokratik në Azi dhe në zonë, e po ashtu shteti më laik. Gjithashtu, kurdët në Turqi kanë të drejta si të tjerët me përfaqësime dhe në Parlament, por nuk kanë asnjë të drejtë të cënojnë sovranitetin e Turqisë. Turqia është trashëgimtare e ish-Perandorisë Osmane dhe ka të trashëguar një histori të lavdishme shtetërore për ruajtjen e territorit dhe mbrojtjen e sovranitetit. Betejat për ta cënuar sovranitetin e Turqisë kanë qenë të vazhdueshme që nga krijimi i Republikës Turke nga Ata Turk. Megjithatë, në të gjitha përpjekjet kanë dështuar, sepse Turqia është një vend me një histori të gjatë e të vazhdueshme shtetërore dhe sovraniteti.

Pavarësisht, kush qeveris në Turqi, qëndrimet dhe linjat politike për Kombin dhe Shtetin nuk ndryshojnë. Turqia mbrojti në ’74-ën,  Qipron turke me luftë pa pyetur askënd. Turqia mbrojti ishujt e shkretur në ’97-ën pa pyetur askënd, kundër Greqisë e po ashtu Turqia vazhdoj aksionet në Siri pa pyetur askënd.

Nëse Turqia do e kishte ndërtuar sovranitetin dhe shtetin e saj duke pyetur e marrë leje tek të tjerët, sot me siguri ajo nuk do të ekzistonte. Turqia është shtet me 90 mln banorë dhe ushtria e saj renditet në vendin e 6-të në botë.

Megjithatë, populli turk është popull luftarak dhe mbi këtë karakter ndërtuan Perandorinë Osmane e sot Turqinë moderne. Edhe kur mendohet se Turqia është e dobët ajo gjithmonë bëhet më e fortë kur bëhet fjalët për interesat kombëtare e këtu duhet të kemi parasysh momentin e nisjes se ofensivës së Ata Turk kundër grekëve që kishin marrë edhe Izmirin.

Roli i Turqisë për Europën, SHBA dhe krejt Perëndimit ka qenë e vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm e kjo për shkak të gjeopolitikës dhe po ashtu edhe për shkak të peshës e numrit të popullsisë.

Po ritheksoj se Turqia që nga Ata Turk ka qenë e mbetet shteti me afër Perëndimit dhe më pro perëndimit. Përtej kësaj, turqit kanë pasur gjithmonë identitetin e tyre dhe kanë luajtur vazhdimisht rol në rajon, në këtë drejtim. Turqia ka pranuar gjithmonë bashkëpunim me Perëndimin për interesa të përbashkët, por pa pranuar kurrë nënshtrimin. Populli turk për shkak edhe të kaluarës historike nuk e njeh nënshtrimin.

Me Turqinë ka dy lloj marrëdhëniesh: miqësore ose armiqësore. Linjë të mesëm me Turqinë nuk ka!

Nëse nuk do të ekzistonte Turqia, Irani do të vinte në Greqi e po ashtu Rusia do të arrinte pa shumë mundime në Berlin. Turqia po luan një politikë thuajse të pavarur e kështu ka bërë gjithmonë e kjo lidhet me faktin se ajo kërkon të konfirmohet si fuqi rajonale. Ajo nuk është mike me Rusinë, por luan me Rusinë për sa kohë me Perëndimit nuk i ka punët mirë, por para sovranitetit të saj nuk pyet askënd e shembull më i mirë është rasti i ndërhyrjes së tanishme në Siri e thirrjeve të dëshpëruara të Putin për tërheqje.

A e duan SHBA-të krijimin e një shteti kurd?

Krijimi i një entiteti të ri shtetëror në një zonë si Irani, Iraku, Siria e Turqia është gjithmonë një nismë e rrezikshme.

-Së pari nuk dimë çfarë krijese mund të jetë;

-Së dyti lidhjet e forta Iranit dhe këtë etni e bën akoma më problematike;

-Së treti lidhja dhe identifikimi i tyre me të majtën ekstreme është një sinjal për lindjen e një entiteti shtetëror që nuk e ka shumë dashur me demokracinë;

Të gjitha këto të bëjnë të besosh se SHBA nuk e duan këtë krijesë!

Ata nuk mund të mbështesin krijimin e një shteti që s’ka qenë kurrë duke humbur apo prishur marrëdhënie me një shtet si Turqia me 90 mln banorë, sekular dhe më Perëndimori që nga koha e krijimit të republikës moderne turke. Krijimi i shteti kurd në rajon do të forconte pozitat po në rajon dhe të Rusisë. Kundër krijimit të këtij shteti në thelb është edhe Izraeli i cili nuk ka interes që të hapet çështja shtetformuese në këtë zonë duke pasur të njëjtin problem me Palestinën.

E drejta ndërkombëtare iu jep kurdëve të drejtën të vetëvendosin për veten e tyre, por rrethanat gjeopolitike e ndalojnë këtë gjë. Prandaj, përtej ëndrrave, ka një realitet që e ndalon. Kurdët duhet të luftojnë të gëzojnë të drejtat e tyre si minorancë në vendet ku jetojnë e në Irak mund e ndoshta do të jenë shtetformues, por nuk mund të kenë një shtet të tyrin.

Turqia u ka dhënë të drejta politike kurdëve, por ajo ka të drejtën e saj të mbrojë sovranitetin e vendit.

*Një theksim të vogël, kurdët nuk kanë lidhje me historinë e Kosovës apo me shqiptarët në Ballkan.

Ne si shqiptarë duhet të mbrojmë çdo iniciativë të çdo populli për vetëvendosje, por për shkak të rrethanave historike, gjeopolitike e kulturore në disa raste vetëvendosja është e pamundur e nuk mund të konsiderohet zgjidhje.

Zhgarravitjet nëpër harta ndonjëherë mund të jetë më të rrezikshme se sa status quo-ja ekzistuese.