Dita e 14 tetorit, shënon vrasjen mizore të fratit e studiuesit të madh, Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovit, në vitin 1929, në fshatin Zym të Hasit. Atë Shtjefën Gjeçovi radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishtërimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Harapi dhe shumë e shumë të tjerë.
Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh.
Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve, si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Atë Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën, Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç, kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë, françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë dhe Italisë.
Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishtërimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22-vjeçar, famullitar i ri, me fe të gjallë e kulturë të thellë. Atë Shtjefën Gjeçovi predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbramë! Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.
Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.
Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lire i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit, “Vazja e Orleans-it ose Joana D’Ark” mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qëllim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë së Jezusit.
Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe “Kanuja” u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat e tradhtarëve, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati.
Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në altar një tjetër frat shqiptar, Atë Luigj Paliqin, martir i fesë e i atdheut. E ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull “Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra” me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi, shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhit, historianit të fretërve.
“Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë” . Ai i bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.