Çudirat shqiptare nuk është se kanë mbirë nga hiçi në kohët moderne kur gjithçka mund të bëhet popullore edhe virale me një shpjetësi të paimagjinueshme.
Dukuria e çudive është shumë më e lashtë nga sa mund të mendoni ju, por ne nuk do të shkojmë aq larg, ndonëse edhe viti në të cilin ngjarja e mëposhtme ka ndodhur, mjaft e largët është.
Bëhet fjalë për një relacion të Atë Karlo Ferraris të mbajtur në Kryezezezi kur shërbente atje si pjesë e ungjillizimit me anë të misionit lëvizës. Relacioni mban datën 7 dhjetor 1908 dhe është botuar nga Atë Zef Valentini në përmbledhjen e tij “Ligji i Maleve Shqiptare”.
Njëri nga Munasi (Kryezezezi) i kishte dhënë motrën për grua njërit nga Kthella, me një marrëveshje ndërrimi, pra me kusht që i kunati nga Kthella t’i jepte më vonë, kur të vinte koha, të motrën për vëllain e tij.
Kur erdhi koha e pritur, vajza e Kthellës nuk pranoi të martohej me personin në Munasi, duke thënë se donte të rrinte beqare, ose, siç përflisnin të tjerët, ngaqë ishte e lidhur, fshehtas vëllait, me një djalë tjetër.
Kryetarët e Kryezezit, duke menduar se kjo çështje do të krijonte pështjellime të rënda, u mblodhën për ta rregulluar punën, dhe e paralajmëruan atë të Munasit të mos përdorte forcë. Por ky, në kundërshtim me ndalimin e kryetarëve, rrëmbeu të motrën nga i shoqi dhe i çoi fjalë burrit të saj se do ta mbante robinë në shtëpinë e tij derisa ai t’i jepte të motrën që ia kishte premtuar për të vëllanë.
Atëherë kryetarët, sipas ligjit për shkeljen e besës, ia dogjën shtëpinë dhe i vunë gjobë në para, po kështu edhe kushëririt të tij që e kishte ndihmuar për rrëmbimin,
Pas shumë takimesh, në praninë tonë, të kryetarëve nga Munasi dhe të Kthellës, u arrit në përfundimin që munasezi të tërhiqet nga mendimi për vrasjen e kthellazit, të heqë dorë nga kërkesa për zhdëmtim për dëmet dhe vuajtjet që, sipas tij, i kishte shkaktuar i kunati, të pranonte vendimin e pleqësisë së kryetarëve për ta kthyer të motrën te burri i saj dhe të hiqte dorë nga kërkesa për ta martuar vëllanë e tij me motrën e kunatit, nëse ajo vetë nuk e dëshironte këtë martesë.
Në relacionin e mësipërm shihej qartazi se për çdo gjë, ndërhynte pleqësia e fshatit, duke i dhënë familjes jo trajtën e bërthamës së shoqërisë, por të bërthames së eksperimenteve kolektive nga i gjithë fshati…
E tillë ishte koha: Të kishe privaci, as që imagjinohej.