MENU
klinika

Sekretarja e Përgjithshme e KE pret Gjonajn

“Puna e bërë duhet njohur me qëllim hapjen e negociatave”

14.10.2019 - 15:58

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejčinović Burić ka vlerësuar punën e bërë me reformat në vendin tonë duke theksuar se e gjithë kjo punë duhet të njihet dhe të finalizohet me hapjen e negociatave.

Këtë qëndrim Burić e ka mbajtur gjatë një takimi në Strasburg ku priti ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj vetëm pak ditë nga vendimi i BE lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndër të tjera sekretarja e Përgjithshme e KE deklaroi se i admiron vendet si Shqipëria që e kanë bërë reforma si dhe dha një vlerësim personal për punën që ka bërë ministrja Gjonaj. Nga ana e sekretares së Përgjithshme u theksua fakti që bashkëpunimi do vazhdojë më tej duke vlerësuar në veçanti gjithë mënyrën se si është dizenjuar i gjithë procesi i vettingut dhe Reforma në Drejtësi.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni të bëni përpara me reformat e ndërmarra. I admiroj vendet si Shqipëria që e kanë bërë një reformë të tillë si ju me të gjitha detajet. Edhe pse është një proces i vështirë, ju përgëzoj për kurajon dhe rolin që keni pasur. E gjithë puna e bërë deri më tani duhet njohur me qëllim hapjen e negociatave për integrimin në BE”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër gjatë takimit, Gjonaj theksoi rëndësinë që ka mbështetja nga Këshilli i Evropës për Shqipërinë, duke mbajtur ne konsideratë të gjitha reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës.
Ministrja theksoi gjithashtu se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm sa i përket procesit të integrimit dhe hapjes së negociatave i cili do të pasohet me një vendimmarrje të rëndësishme në vijim nga vendet anëtare të BE-së.

Gjonaj prezantoi përpjekjet maksimale të bëra nga Shqipëria për raportimet në mekanizmat e Këshillit të Evropës me qëllim plotësimin dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve.

Pjesë e diskutimit ishin edhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të cilat qeveria shqiptare është angazhuar me qëllim zbatimin e tyre.

Kjo vizitë dy ditore bëhet me ftesë të homologes franceze Nicole Belloubet, ku Gjonaj është pjesëmarrëse e ministerialit të ministrave të Drejtësisë të vendeve të Këshillit të Europës.

Në vijim, Gjonaj pritet të mbajë fjalën e saj në Konferencën e Nivelit të Lartë që do zhvillohet gjatë ditës së sotme lidhur me reformën, aksesin në drejtësi, etj. Ndërkohë, sipas agjendës zyrtare pritet të ketë edhe disa takime të veçanta bilaterale me homologët e vendeve te tjera.