Ministrat e Jashtëm të BE vendosin sot për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Franca mund të vendosë veton. Ekspertë gjermanë shpjegojnë, pse u duhet perspektiva e anëtarësimit këtyre vendeve.
Ministrat e Jashtëm të BE që diskutojnë të martën (15.10) në Luksemburg për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndoshta do të kenë një diskutim jo fort të gjatë. Franca ka paralajmëruar se do të pengojë me veto fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
Ky vend është i mendimit, se reformat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë të mjaftueshme, shkruan gazeta gjermane “Handelsblatt”. Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon më parë një reformim të thellë të procesit të anëtarësimit si kusht për të dhënë miratimin e tij.
Josef Janning, drejtues i zyrës së Berlinit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme që i kushtohet politikës së jashtme europiane, e kupton shqetësimin e Francës.
“Francezët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar se Bashkimi Europian përmes shtimit të anëtarëve do të dëmtohej dhe në fund do të mbetej vetëm tregu, e nëse mbetet vetëm tregu, atëherë as ai nuk do të mbetej një ditë… Po të hedhësh vështrimin pas, mund të thuash, se kjo frikë nuk ishte aq e paargumentuar”, thekson Janning për radion gjermane, “Deutschland Funk”.
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i duhet perspektiva e anëtarësimit
Megjithatë eksperti nuk sheh rrugë tjetër për BE, veç çeljes së negociatave. “Duhet parë edhe ana tjetër, nëse nuk ka një qëllim, një perspektivë të besueshme anëtarësimi, atëherë për aktorët politikë aty bëhet e vështirë, për të mos thënë se bëhet shumë e vështirë t’i qëndrojnë kursit për t’i afruar vendet e tyre në mënyrë konsekuente në drejtim të BE.”
Sipas tij, fillimi është i lehtë, por më pas puna bëhet serioze dhe pikërisht në këtë fazë duhet vullneti i fortë politik për t’iu mbetur besnik reformave. Në këtë kuptim ndihmon shumë perspektiva e anëtarësimit, thotë Janning.
Jo vetëm inkurajimi për reforma që i duhet dhënë këtyre vendeve në rrugën e afrimit me standartet e BE është një argument pro çeljes së tyre për ekspertin gjerman. Josef Janning shikon edhe një interes të BE për zgjerimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në drejtim të sigurisë.
“Për BE shtrohet pyetja a mundet ajo t’i mbajë larg ato demokraci europiane që duan të futen brenda saj. Këtë ajo nuk mund ta bëjë, pa dorëzuar idenë se është vatër e të gjitha demokracive në Europë”, thekson Janning.
Roth: Kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat
Krahas Francës, hezituese është edhe Holanda, e cila më shumë është për t’i thënë po çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Me Shqipërinë ky vend sheh më shumë probleme, u shpreh kryeministri holandez, Mark Rutte në një takim të fundit me kancelaren Merkel në Berlin. Edhe Danimarka është skeptike.
Në BE veç vendeve të lartpërmendura ekziston një frymë pozitive për çeljen e negociatave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë një vit më parë nga Komisioni Europian. Gjermania e mbështet çeljen e negociatave, pas disa kushteve imediate që vendosi Bundestagu, të cilat duhen realizuar deri në konferencën e parë të anëtarësimit, por edhe kushteve të tjera afatgjata.
Në bisedimet në Luksemburg të martën, Gjermania përfaqësohet nga ministri i shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth, i cili është një përkrahës i bindur i çeljes së negociatave.
Në një intervistë të mëparshme për Deutsche Wellen, Michael Roth theksoi se kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian.
Të dyja vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. ”
Por nëse thirrjet e Michael Roth, se duhet të dërgojmë mesazhe inkurajuese pozitive në drejtim të Ballkanit Perëndimor do të dëgjohen nga vendet skeptike, kjo është më se e pasigurtë./DW