Françesk Radi ishte ndër artistët e parë që guxoi t’i shfaqej publikut ndryshe. Me kitarën që e shoqëronte kudo, këngët e tij do të mbartnin mesazhe të rëndësishme dhe shumë të goditura për kohën.
Ishte një artist modern dhe shumë guximtar, por këto bënë që krijimtaria e tij të ndalohej dhe kjo gjë të kthehej në pengun e tij më të madh në jetë.
Pikërisht kjo gjë është përmendur dhe pohuar edhe nga bashkëshortja e tij Tefta Radi në emisionin Soiree me Jonida Shehun në Top Channel. Tekfa, pas një kohe shumë të gjatë, është rikthyer sërish në ekran dhe arsyeja ka qenë bashkëshorti i saj i ndjerë, Franko sic e quan ajo.“Peng Frankoja kishte faktin që prej dy dekadash iu mohua e drejta për të qenë kantautor, për të bërë muzikën që donte, sepse në Fushë Arrëz iu ndalu dalja në skenë. Në Fushë Arrëz u mor me grupet artistike dhe nuk u pendua kurrë. Përvetësoi veglat dhe instrumentet popullorë që i vyen më pas në krijimtarinë e tij muzikore. Ishte një peng i madh sepse t’i heqësh të drejtën e krijimtarisë një autori është e tmerrshme, nuk mund të imagjinohej”, ka treguar Tefta Radi. Gjithashtu ajo ka treguar se ëndrra e tij që ngeli përfundimisht në sirtar ishte që këngët e tij t’i kthente edhe në gjuhën angleze.Tefta ka rrëfyer edhe se si është njohur me artistin e madh dhe se si ka rënë në dashuri me të. “Isha një vajzë studente që e shihja Frankon në bulevard me syrin e lakmisë si të gjitha femrat. Më pëlqente se ishte një tip krejt ndryshe, një djalë që ka qenë jashtë kronizave të çdo kohe. Franko ishte një njeri që binte në sy për sharmin e tij, jo vetëm për muzikën dhe këngët e tij. Më pas ajo ka shtuar: “Ishte një dashuri shumë e bukur. Nuk ishte dashuri me shikim të parë, absolutisht jo. Ne punuam bashkë me grupin artistik. Një vit më pas ndodhi ajo që ndodhi. Iu duka interesante, mua më dukej prej kohësh interesant dhe Franko e thotë shumë bukur dhe në libër ‘kitara ishte karemi për të afruar vajza, megjithatë unë nuk rendja pas tyre, ishin ato që rendnin pas meje, pasioni për kitarën dhe muzikën”
Përlotet në studio
Mbrëmja kishte edhe lot, përpos historive interesante dhe muzikës së tij të paharrueshme. Tefta nuk ka mundur dot që t’i ndalte lotët e saj për Françesk Radin teksa është shprehur se i mungon shumë.
“Më mungon shumë, së pari Franko”, tha Tefta.
“Takon shumë miq të Frankos në rrugët e Tiranës të paktën kur vjen në Tiranë për punët e tua?”, e ka pyetur Jonida Shehu.
“Takoj miqtë e Frankos që më rrinë shumë afër, takoj kolegët e mi, por Franko më mungon shumë”, ka treguar ajo e përlotur.
Më tej ajo është pyetur se si ishte dita e fundit me Françesk Radin.
“Dita e fundit me Frankon ishte si një nga ditët tona të zakonshme, mjaft e lumtur. Ishte e dielë, më kishte ardhur vëllai nga Australia, ishim në Petrelë në një zonë të bukur, drekuam me miqtë tanë, me Mark Lulin dhe bashkëshorten e tij. Ishte një ditë plot humor, plot batuta, sepse një nga të veçantat e Frankos ishte humori i tij, buzëqeshja e tij e ëmbël dhe humori me batuta që të bënte të flakje tej çdo lloj nervozizmi.
Ishte një ditë e zakonshme, sepse të gjitha ditët tona ishin të bukura. U kthyem në shtëpi rreth orës 6. Pas gjysëm ore pushimi u fut në studion e tij. U ul për të punuar. Ishte duke përgatitur 5-6 këngë para se të largoheshim për në Australi në një recital që do t’i realizonte tek Alban Dudushi me tenorin Kastriot Tusha. Ishin këngë të zgjedhura, këngë të bukura, napoletane, për t’i patur si kujtim dy miq.
Kishim dy ditë që kishim filluar provat. Ndodhi ajo çudia që ndodhi. Punoi dy orë e gjysëm. Nga ora 9 u ulëm për të parë një koncert në Rai në Arena di Verona, bëhej me gratë artiste italiane me Loredana Bertè etj. dhe të gjithë fondet do të kalonin për gratë e dhunuara.
Ishte koncert brilant. U kënaqëm dhe rreth orës 12-12:30 sa mbaroi koncerti dhe nga ora 1 ramë për të fjetur dhe Franko ra në një gjumë dhe nuk u ngrit më”, ka treguar Tefta Radi mjaft e emocionuar.