MENU
klinika

Takimi

Mblidhen krerët e partive, vendoset për zgjedhjet

20.10.2019 - 18:37

Ditën e sotme presidenti Stevo Pendarovski ka thirrur në një takim liderët e partive.

Në këtë takim, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të hedhë në tryezë propzimin për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Pasi liderët e BE-së nuk morën vendim për hapjen e negociatave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev njoftoi se do të propozojë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai u shpreh se ky vendim vjen pas konsultimeve që ka marrë, dhe se zgjidhja më e mirë për të mos humbur kohë “janë zgjedhjet e parakohshme”.

Kryeministri Zaev gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar konsultime brenda dhe jashtë shtetit për hapat e ardhshëm, ku ka takuar edhe partnerin e koalicionin, kreun e BDI-së Ali Ahmetin.

Vetë ky i fundit u shpreh se partia është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke e cilësuar atë si zgjidhjen më të mirë pas vetos së Francës për shtyrjen e negociatave.

Janë mbledhur pasditen e sotme liderët e partive politike në Maqedoni pas thirrjes nga presidenti. Liderët e partive po bisedojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat një ditë më parë i kërkoi Zaev pas dështimit me negociatat.

Në takim janë kryeministri dhe lideri i LSDM, Zoran Zaev, lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, lideri i BDI, Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Menduh Thaci.