MENU
klinika

Raporti i Bashkimit Europian

Investimet e huaja direkte në Shqipëri, 16% më shumë

22.10.2019 - 11:09

Bashkimi Evropian dhe Shqipëria kanë diskutuar më 3 tetor progresin e Shqipërisë në fushat ekonomike dhe financiare sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Sipas raportit tremujor të Direktoratit Ekonomiko-Financiar të Komisionit Evropian për vendet kandidate dhe ato që janë në proces afrimi me BE, Shqipëria konfirmoi edhe një herë angazhimin e saj për stabilitetin makroekonomik, konsolidimin fiskal dhe ecjen përpara drejt një ekonomie të tregut funksionale dhe konkurruese. Të dy palët kanë arritur në konkluzionin se Shqipëria duhet të përpiqet vazhdimisht për të ulur nivelin e borxhit të saj publik, të forcojë menaxhimin fiskal dhe të kapë afatet në liberalizimin e tregut të saj të energjisë.

Shqipëria përjetoi një nga tërmetet më të fuqishme në shtator, por për fat të mirë plagosjet dhe dëmtimet ishin të pakta. Bashkimi Evropian po jep ndihmë dhe qeveria shqiptare ka përgatitur një rishpërndarje fondesh buxhetore, që nuk prek deficitin e bilancit, për të mbështetur rindërtimet, thuhet në raport.

KLIKO KETU PER RAPORTIN E PLOTE

Sektori real

Brukseli konstaton se Prodhimi i Brendshëm Bruto real i Shqipërisë u ul paksa, nga 2.4% në shkallë vjetore në tre muajt e para të vitit 2019, në 2.3% në tremujorin e dytë. Ngadalësimi i rritjes, që po vijon prej tre tremujorësh, përsëri vjen si pasojë e goditjeve, që rezultojnë nga prodhimi i ulët i energjisë elektrike prej rreshjeve të pakta. Sa i përket kërkesës, konsumi i qeverisë ishte komponenti që u rrit më shpejt, duke kaluar nga 0.5% në shkallë vjetore në tremujorin e parë, në 4.6% në të dytin. Gjithashtu, edhe konsumi privat e tejkaloi nivelin e tremujorit të parë (2.25%) në 2.85% në shkallë vjetore.

Rritja e krijimit të kapitalit bruto fiks kaloi në terma negative (-0.9% në shkallë vjetore), kryesisht si pasojë e përfundimit të punimeve që lidhen e gazsjellësin Transadriatik, një projekt jashtëzakonisht i madh ndërtimi. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve doli nga stanjacioni në tremujorin e parë me 3.2% rritje, pavarësisht nga rënia e vazhdueshme e eksportit të energjisë elektrike, pasi u fuqizuan mjaft eksportet e ushqimeve, produkteve të përpunuara dhe sidomos ato të shërbimeve.

Ndërsa rritja e importeve ishte në masën vjetore prej 6 përqindësh, kryesuar më së shumti nga importet e energjisë elektrike, si dhe importet e shërbimeve, të cilat u rritën nga 3.4% në 9 për qind në shkallë vjetore. Si pasojë e rritjes së fuqishme të importit, eksportet neto e ulën ritmin e tyre me 0.5%.

Industria, që përfshin energjinë, minierat dhe sidomos sektorin e energjisë elektrike vazhduan të japin një kontribut negativ rritjeje në terma vjetorë por, krahasuar me tremujorin e parë, kjo kategori u rrit fuqishëm në masën 12%. Kjo tregon se prodhimi i energjisë e ndërpreu rënien, ndërsa përpunimi i mallrave e vazhduan rritjen e tij të fuqishme të tremujorit të parë. Shërbimet vijuan të kryesojnë rritjen në tremujorin e dytë, shoqëruar nga bujqësia, e cila e mori veten nga rënia (sezonale) e saj e tre muajve të parë të vitit.

  • Tregu i punës

Tregu i punës e përshpejtoi më tej zhvillimin e tij pozitiv edhe gjatë tremujorit të dytë 2019, thekson më tej raporti. Rritja e punësimit për grupmoshat 15-64 vjeç, që ishte 1.5% në shkallë vjetore gjatë tre muajve të para të vitit, kaloi në +3.3% në tremujorin e dytë. Niveli i përgjithshëm i papunësisë u ul shumë (0.9%) për të arritur në 12% në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë. Krijimi i posteve të reja të punës vijoi më fuqishëm në shërbime (5.7%), pasuar nga industria (4.4%).

Ndërsa rritja e punësimit të të rinjve vazhdoi uljen, nga 12.2% tremujorin e parë, në 8.4% në të dytin në shkallë vjetore. Papunësia tek të rinjtë për këtë arsye u ul me shpejtësi më të vogël se gjatë vitit 2018, me 1.3%, krahasuar me 1.8% një vit më parë nga tremujori i parë në të dytin, duker qendruar në një nivel të lartë prej 20.9 përqindësh në fund të qershorit 2019. Pagat në sektorin publik u rritën 4.3 për qind gjatë tremujorit të dytë, ndërkohë që rritja nominale e pagës mesatare u pakësua lehtësisht në 4.5 për qind nga prilli në qershor në terma vjetore (4.9% në janar-qershor).

  • Sektori i jashtëm

Sipas ekspertëve të Brukselit, deficiti i llogarisë korrente (si shifër për katër tremujorë) u zgjerua më tej nga 7.1 për qind e PBB-së në tremujorin e parë, në 7.7 për qind në të dytin, duke pasqyruar kryesisht një deficit më të madh tregtar në mallra dhe një tepricë pak më të vogël në bilancin e shërbimeve. Hyrjet neto të investimeve të huaja direkte u rritën fuqishëm gjatë tremujorit të dytë, me 16 për qind në shkallë vjetore.

Në total, hyrjet e tyre ishin sa 8% e PBB-së gjatë të katër tremujorëve deri në qershor 2019, duke mbuluar krejtësisht deficitin mesatar të llogarisë korrente (sa 104% në fund të qershorit 2019) gjatë kësaj periudhe. Borxhi i jashtëm bruto u ul pak gjatë tremujorit të dytë në 8.3 miliardë euro, që ende është sa 63 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rezervat në valutë të huaj u rritën 15.5% në shkallë vjetore gjatë tremujorit të dytë, duke mbetur 3.3 miliardë euro, që korrespondojnë me 7 muaj importe të mallrave dhe shërbimeve.

  • Zhvillimet fiskale

Zbatimi i buxhetit u përmirësua gjatë tremujorit të dytë 2019, duke arritur në një bilanc negativ prej 1.4 përqindësh të PBB-së në shkallë vjetore, me të ardhurat dhe shpenzimet sipas planifikimit. Plani i buxhetit parashikon një deficit buxhetor vjetor prej 1.9 përqindësh ndaj PBB-së për gjithë 2019-ën. Të ardhurat nga taksat dhe kontributet për sigurimet shoqërore u rritën mirë në masën 3.1 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2018 në sajë të rritjes së prurjeve prej taksimit mbi të ardhurat personale e tatimfitimit, si dhe mbledhjes së taksave nga autoritetet vendore.

Por TVSH-ja neto erdhi në rënie, duke qenë se autoritetet u përpoqën të rimbursonin detyrimet e prapambetura. Në përgjithësi, shpenzimet publike u rritën në masën 3/7 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sidomos investimet me financim të brendshëm u zbatuan më mirë, por investimet publike me financim të huaj ishin poshtë planifikimeve. Borxhi publik u ul në 65.9 për qind të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2019.