“Është e qartë se te drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës Albin Kurti është një dëshirë e vdekur për çdo dialog dhe, si një politikan i së kaluarës, i painteresuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe një të ardhme më të mirë si për popullin shqiptar ashtu edhe për atë serb”.
Kështu tha drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriç.
Në një njoftim për shtyp, ai vlerësoi se “duke mos e pranuar Asociacionin e komunave serbëve, Kurti mohon drejtpërdrejt Bashkimin Evropian, përmes të cilit u arrit Marrëveshja e Brukselit”, transmeton Klan Kosova.
Sipas Gjuriçit, “Prishtina, për gjashtë vjet e gjysmë të plotë, ose 78 muaj, 338 javë ose 2,371 ditë, nuk arriti ti përmbushë detyrimet e marra nga ajo marrëveshje”.
Ndërsa Zëvendëskryeministrja serbe Zorana Mihajloviq tha sot se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, me deklaratën se “Asociacioni i Komunave Serbe ka vdekur” është thjesht duke kërkuar një justifikim për të vonuar vazhdimin e dialogut me Beogradin.
“Asociacioni i Komunave Serbe nuk është një projekt serb, por një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës e arritur nën kujdesin e Bashkimit Evropian, ashtu si prezantimi i taksës së njëanshme të Prishtinës që është dënuar nga e gjithë bota”, shtoi ajo.