Joana Qeleshi është dorëhequr sot nga posti i kryetares së Gjykatës së Durrësit, detyrë të cilën e mbante që nga korriku i 2013-s.
Mëngjesin e sotëm, Qeleshi ia ka komunikuar togave të zeza të Durrësit dhe administratës së kësaj gjykate duke e argumentuar dorëheqjen me shfrytëzimin e një mundësie që i është dhënë për të vijuar karrierën në sektorin privat.
Bëhet me dije se ajo se ka pranuar një ofertë pune nga një spital privat për postin e drejtueses juridike.
Joana Qeleshi nuk i ishte nënshtruar ende procesit të vetting-ut, në të cilin po kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë. Mësohet se Kolegji i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e gjyqtares për t’u larguar nga detyra.
Çështja e fundit kur Qeleshi u diskutua në publik ishte rasti i dhënies së mandatit për Valbona Sakon si kryetare e bashkisë Durrës.
Ndonëse Gjykata e Durrësit kishte marrë një vendim për mos njohjen e mandatit të Sakos, dy ditë më pas e njëjta çështje u gjykua në të njëjtën Gjykatë ku drejtonte Qeleshi, duke i dhënë mandatin Sakos.
Sa i përket Gjykatës së Durrësit, pas dorëheqjes së Qeleshit, funksionet e kryetarit po mbulohen nga zëvendëskryetari i Markeljan Koça deri në caktimin e kryetarit të përkohshëm, apo emërimin e kryetarit të ri.