Ardian Mema duket se nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Disfata e fundit në Ballsh ndaj Bylisit duket se ka rezultuar fatale për teknikun kryeqytetas.
Edhe pse e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, rezultatet në javët e fundit tradhtuan Memën.
Në fakt për një shkarkim të tijin u përfol edhe disa ditë më parë pas barazimit me Flamurtarin, megjithatë presidenti Halili vendosi t’i jepte besim.
Por, tashmë objektivi titull i bardhebluve për këtë sezon po fillon të komplikohet dhe Halili ka menduar se zgjidhja më e mirë është ndërprerja e bashkëpunimit me 47-vjeçarin.
Kështu, presidenti dhe Mema kanë shtrënguar duart duke e zgjidhur miqësisht kontratën, ashtu si edhe i takon tekniku i cili lidhjen me ngjyrat bardheblu e ka më shumë se thjesht profesionale.
Mbetet për t’u parë se kush do e pasojë Memën në krye të Tiranës, ndonëse dy alternativat kryesore janë zbuluar dhe ato janë Julian Ahmataj e Bledar Devolli.