“Skandaloze! Shqiptarja Rita Ora i qesh Beogradit në fytyrë! Këngëtarja e preferuar e Haradinaj dhe Thaçit në pankartat e kryeqytetit!”, kështu shkruan media serbe Informer e indinjuar me këngëtaren nga Kosova me famë botërore.
Serbët e quajnë skandaloze faktin se nëpër tabelat reklamuese të Beogradit shfaqet këngëtarja Shqiptare me famë botërore Rita Ora duke promovuar një markë perëndimore stolish të çmuara.
Gazeta serbe Informer e quan Rita Orën mbështetëse të UÇK-së që ka bërë thirrje për Shqipërinë e madhe. Kjo gazetë madje ka realizuar një sërë intervistash më të rinj në kryeqytetin serb ku i pyet ata sesi ndihen që Rita Ora shfaqet në qendër të Beogradit.
“Kjo është e tmerrshme dhe është një dëshmi e nivelit të ulët të vetëdijes kombëtare të serbëve. Vendi ynë nuk duhet të lejojë një këngëtare shqiptare që mbështet kriminelët e UÇK-së dhe bën thirrje për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ në tabela në të gjithë kryeqytetin. Ligji urgjentisht duhet të hartohet dhe miratohet për të ndaluar publikimin e reklamave me përmbajtje anti-serbe. Ka shumë njerëz në vendin tonë që janë të gatshëm të punojnë kundër interesave të njerëzve të tyre për hir të përfitimit material”, thekson një i ri serb i intervistuar nga gazeta Serbe Informer.
Sipas tij, këngëtarët serbë as nuk dëgjohen në Prishtinë apo Tiranë. Nebojsa Krstic, një ekspert i mirënjohur i marketingut në Serbi, i thotë gazetës Informer se gjëra të tilla nuk mund të ndëshkohen me ligj por nga tregu.
“Nuk është e paligjshme dhe nuk mund të ndalosh një këngëtare të shfaqet në një reklamë. Është tregu që do të thotë fjalën e tij të fundit. Nëse një kompani ka bërë një zgjedhje të dobët të markës tregtare, atëherë kjo do të ndihet në shitjen e produkteve”, shpjegoi Krstic.
Artistet shqiptare Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Ava Max prej kohësh janë shndërruar në imazh të firmave ndërkombëtare pas suksesit që kanë pasur në tregun e muzikës.