MENU
klinika

Nga Niko Peleshi

Fuqia e dëshpërimit

26.10.2019 - 16:01

No pain, no gain

Tetori solli lajme jo të mira për Shqipërinë.
Tani BE duket edhe më larg. Rruga për aty me sa duket do të jetë edhe më e vështirë se ç’e patëm menduar.
Por mes nesh, pa rënë shumë në sy, është edhe një klasë e re që vrapon drejt të ardhmes pa pritur rekomandime, vendime e negociata. Është klasa e re e inovatorëve dhe krijuesve të së ardhmes. Mjafton të hedhësh një sy në lajmet e tjera që solli Tetori nga bota e inovacionit dhe kreativitetit. Çdo 2-3 ditë mesatarisht ka patur një event me pjesëmarrje të madhe të rinjsh, të etur për rrugë të reja zhvillimi.

Pepper Bar, një nga baret e Bllokut, për disa orë u kthye në platformë diskutimi rreth teknologjisë për më shumë se 100 të rinj.
Turbina i lëshoi skenën e teatrit mbi 500 pjesëmarrësve (sipërmarrës të rinj dhe investitorë potenciale nga rajoni) të INNFest – Festivalin e Inovacionit.


Tirana Business Park u pushtua nga 300 të rinj të eventit AllWeb ku u fol për mundësitë që ofron marketingu dixhital.
Eventi Creative Industries dhe Uplift mblodhi mbi 100 pjesëmarrës për të dëgjuar histori fantastike suksesi nga shpikësi sllovak i makinës fluturuese dhe shume të tjerë.

Këto dhe të tjera si GetLab, Woman in Tech, Women Techmakers, Cryptoparty janë emërtime që mbase nuk thonë gjë për shumë prej nesh, por në evente te tilla po mbillet fara e një Shqipërie qe nuk i mban sytë e veshët nga lajmet, e një Shqipërie që ëndërron përtej limiteve të gjeografisë e gjeopolitikës.
Mbi 2000 te rinj kanë lënë kafet dhe për orë të tëra kanë ndjekur prezantime dhe debate mbi mundësitë për rritje që ofron sot inovacioni e teknologjia.

Energjinë që ka vendi yne me popullsi ende të re nuk mund ta ndrydhë dëshpërimi. Edhe kur ka arsye te forta siç është prekja e narrativës sonë të vetme. Perspektiva europiane është një destinacion orientues gjeopolitik, social dhe ekonomik për ne. Ky destinacion do të frymëzojë reforma, politika dhe lëvizje për shumë e shumë vite. Si anëtar i BE vendi mund të ecë më shpejt, ndaj natyrshëm kur BE largohet ka arsye për dëshpërim.
Por mos harrojmë që edhe dëshpërimi ka një forcë të madhe shtytëse.
Unë besoj te forca e inovacionit dhe kreativitetit. Ai të nxit të gjesh rrugë të reja dhe tetori dha shënja të forta se një energji e re mund të shpërtheje.


Nëse do të arrijmë të ndërtojmë një ekosistem ku çdo i ri që ka një ide të ketë mundësinë dhe mjetet e nevojshme të provojë, të dështojë e të dështojë përsëri deri sa t’i japë shoqërisë një produkt që shton vlerë, atëhere mund ta themi me siguri se Shqipëria do të jetë një histori suksesi, një frymëzim për shumë vende që ndonëse janë shumë para nesh nuk e kanë zgjidhur ende problemin e lirisë për të provuar e dështuar. Madje e kanë më të vështirë se ne sepse aty sfidat nuk janë kaq të forta dhe nevoja për të kërkuar mundësi rritjeje nuk janë kaq jetike.

Është e njohur që nevoja për mbijetesë ushqen kreativitetin.
Nuk e harroj një bisedë me kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë. Teksa po tregonte për sfidat e vendit të tij ku ndarjet e mëdha etnike e fetare janë shumë të qarta dhe pasojat e luftës i dallon që në vështrimin e parë, më konfirmoi se në rradhët e të rinjve në Sarajevë ka çuditërisht shumë kreativitet dhe iniciativa inovative.

Shikoni Izraelin. Vendi i më pak se 8 milion banorëve, në mes të një rajoni plot konflikte, ka tërhequr më shumë investime për sipërmarrjet e reja se Franca dhe Gjermania marrë së bashku. Izraeli ka më shumë kompani të listuara NASDAQ se të gjitha vendet e botës përvec SHBA (Start-Up Nation: The story of Israel’s Economic Miracle – Dan Senor, Saul Singer). Më shumë se Japonia, Britania e Madhe, Franca, Gjermani, Italia, Kina, Rusia etj!
Mrekullia e Izraelit përshkruhet me një fjalë të vetme: START-UP
Është koha të mendohemi edhe një herë.
Nëse Shqipëria bëhet shtëpia e ideve inovative, e teknologjive të reja, e startup-eve, atëherë Shqipëria mund të bëhet edhe shtëpia e 10 milion shqiptarëve.