MENU
klinika

"Asnjë alternativë tjetër veçse..."

Pendarovski-Ruçi/ Kërkohet zbatim i Marrëveshjes së Ohrit

26.10.2019 - 19:49

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski u shprehën njëzëri se vetëm nëse bashkëpunojnë me njëri tjetrin, dy vendet do të përballojnë më mirë sfidën e integrimit në BE.

“Shqipëria është një fqinje dhe mike e madhe, e sinqertë dhe e përhershme e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët parlamente që ratifikoi Protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Të dy popujt dhe vendet tona i bashkon e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.

Ne duhet të bashkëpunojmë sespe kështu i përballojmë më mirë e më lehtë sfidat e përbashkëta që kemi përpara. Bashkëpunimin e shkëlqyer politik duhet ta shtrijmë edhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik. Vendimi i Këshillit Eurupian nuk na dekurajon, por na bën të shohim përpara, drejt së ardhmes. Vendet tona kanë vetëm një plan A për të ardhmen dhe ky është destinacioni i Bashkimit Europian.

Ne inkurajojmë qëndrimet konstruktive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe kontributin e tyre në shërbim të zhvillimit, prosperitetit dhe integrimit europian të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Ruçi.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë e vendosi theksin edhe te zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.

“Ne mendojmë se është në interes të Maqedonisë së Veriut të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur të drejtat kulturore e arsimore të shqiptarëve në kuadër të implementimit të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit.

Vlerësojmë punën e bërë deri tani për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe besojmë se zbatimi i duhur i Ligjit për gjuhët dhe vendosja e shpejtë e mekanizmave të monitorimit do të siguronin një qasje më të mirë dhe më të drejtë në shërbime për shqiptarët”.

Presidenti Stevo Pendarovski u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të pranojnë asnjë alternativë tjetër, përveçse anëtarësimit në BE.

“Vendosa me dëshirë që vizitën e parë në vendet fqinje ta kryeja në Shqipëri. Ju falenderoj për ratifikimin e menjëhershëm të Protokollit të anëtarësimit tonë në NATO sepse anëtarësia në këtë Organizatë është jetike për Republikën tonë.

Ne u jemi mirënjohës shqiptarëve për përfshirjen, kontributin dhe mbështetjen për reformat dhe avancimin tonë drejt familjes europiane. Falenderojmë Shqipërinë për sjelljen europiane dhe të pjekur ndaj pakicës maqedonase-veriore në vendin tuaj. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të pranojnë asnjë alternativë tjetër, përveçse anëtarësimit në BE.

Ne duhet të mbështesim njeri-tjetrin dhe kështu e shpejtojmë dhe lehtësojmë rrugën tonë drejt Bashkimit Europian” nënvizoi Presidenti Stevo Pendarovski. Vizitën në Shqipëri Pendarovski e nisi me një takim me kreun e shtetit, Ilir Meta.