MENU
klinika

"Me avion ose kamion me 17 mijë £ të çoj në Angli"

Trafikanti ‘kapet’ nga gazetarët dhe qesh me 39 viktimat: Fati i keq!

27.10.2019 - 22:54

Një shqiptar ka rënë në ‘rrjetën’ e gazetarëve britanikë gjatë një investigimi vetëm pak ditë pas tragjedisë së 39 emigrantëve që u gjetën pajetë në një kamion frigoriferik.

“Daily Mail” ka publikuar investigimin me gazetaren e infiltruar duke zbuluar edhe emrin e shqiptarit që i ofroi dy rrugë për të shkuar në Angli; e para, përmes dokumentacioneve false dhe nisjes nga Tirana me avion kundrejt 17 mijë paundëve dhe e dyta duke u fshehur në një kamion që niset nga Belgjika kundrejt 14 mijë paundëve, ndërsa udhëtimi zgjat 12 deri në 16 orë.

Shqiptari që është pjesë e grupit të trafikut të klandestinëve për në ishull është Kastriot Ahmati.

Ai jeton në Angli, madje pa u shqetësuar aspak publikonte në rrjetet sociale në faqen “Shqiptarët në Londër ” aktivitetin e tij me ofertat për të hyrë në ishull dhe numrin e telefonit ku ta kontaktonin personat e interesuar për të rekrutuar sa më shumë.

“DailyMail” shkruan se herën e fundit që gazetarja e infiltruar ka komunikuar me Ahmatin në telefon ka qenë ditën e premte, vetëm dy ditë nga tragjedia e 39 klandestinëve, ndërsa frikës dhe shqetësimit të gazetares së infiltruar i është përgjigjur “Thjesht shorti i fatit. Ka qenë e shkruar!”.

Ahmati vijoi më tej duke i thënë se nuk ka asnjë rrezik dhe se edhe ai vetë kishte hyrë në Britaninë e Madhe duke u fshehur në një kamion.

“E kam bërë vetë këtë rrugë, ndaj po mundohem të gjej ty rrugën më të thjeshtë” tha Ahmati. Kur ajo vazhdoi të shprehte frikën e saj, duke thënë ‘Do të vdesim’, Ahmati thjesht qeshi.

Ahmati ka konfirmuar se ndodhej në Londër, sipas shkrimit prej të paktën një viti, ndërsa besohet se është nga qyteti i Hasit.

Përpara se të botonin shkrimin gazetarët britanikë e morën në telefon dhe i kërkuan një koment zyrtarisht, por ai u ktheu përgjigje përmes një shoku dhe u tha se bëhej fjalë për një shaka.

Gazetarët i kërkuan shpjegime për aktivitetin e tij, por ai mbylli numrin e telefonit dhe fshiu faqen e tij në Facebook të quajtur “Kace Kace”.

Agjencitë ligjzbatuese britanike kanë ngritur shpesh shqetësimin mbi rritjen e aktiviteteve të paligjshme nga shqiptarët.