Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton bizneset që të përfitojnë nga orët e mbetura për të plotësuar detyrimin ligjor për hapjen dhe deklarimin e llogarisë bankare pranë administratës tatimore.
Tatimet kujtojnë se procesi kërkon vetëm pak minuta dhe mund të bëhet edhe elektronikisht.
Tatimpaguesit e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit të tyre brenda 90 ditësh dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Ky detyrim vjen si rrjedhojë e ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore që kanë marrë fuqi ligjore nga data 26 korrik 2019.
Hapja e llogarisë bankare është detyrim për ata tatimpagues persona fizikë tregtarë aktivë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar;, tatimpaguesit persona juridikë aktivë pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë si dhe organizatat jo-fitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.
Ndërsa tatimpaguesit e regjistruar për herë të parë, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore.