MENU
klinika

Interesi në sektorin e hidrokarbureve

Kompanitë e huaja kërkojnë naftën dhe gazin shqiptar

28.10.2019 - 13:32

Shqipëria ofron një mjedis të favorshëm për licencimin e investitorëve të huaj për të hyrë në marrëveshje hidrokarbure me shtetin shqiptar.

Pozicioni gjeologjik i saj, por edhe kuadri ligjor në fuqi dhe stabiliteti i regjimit fiskal në këtë sektor përbëjnë avantazh.

Një delegacion i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, i kryesuar nga kreu i saj Adrian Bylyku morën pjesë në edicionin e 7-të zyrtar të Samitit Ballkanik të naftës dhe gazit, i mbajtur në Budva të Malit të Zi këto ditë.

Samiti ofroi një mundësi të re për pjesëmarrësit për takime midis institucioneve homologe në rajonin e Ballkanit me qëllim adresimin e të gjitha hapësirave për investime në sektorin hidrokarbur në rajon, hedhja dritë mbi aktivitetet e kërkimit, projektet për të ardhmen, si dhe programe të tjera të rëndësishme për rajonin.

Në Samit, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Adrian Bylyku prezantoi mundësitë që ofron Shqipëria për kërkimin dhe prodhimin të naftës dhe gazit, blloqet e lira më tërheqëse nisur nga të dhënat teknike të tyre, por edhe blloqet e publikuara aktualisht në pritje të aplikimeve nga kompani të interesuara.

Gjatë fjalës së tij, Bylyku theksoi se Shqipëria ofron një mjedis të favorshëm për licencimin e investitorëve të huaj për të hyrë në marrëveshje hidrokarbure me shtetin shqiptar, duke nisur nga pozicioni gjeologjik i shtrirjes së saj, por edhe kuadri ligjor në fuqi dhe stabiliteti i regjimit fiskal në këtë sektor.

Në përfundim të këtij Samiti, u zhvilluan takime të suksesshme me disa kompani pjesëmarrëse të interesuara për të investuar në sektorin hidrokarbur në Shqipëri me të cilat pritet dhe një intensifikim i takimeve në të ardhmen.