MENU
klinika

"Do të dyfishojmë përpjekjet për t'u integruar"

Meta në Bruksel: Shqipëria luan rol të rëndësishëm në NATO

28.10.2019 - 17:50

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka takuar sot sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Nga Brukseli, Kreu i shtetit  theksoi se Shqipëria vijon të luajë rolin e saj në Aleancën Atlantike të Veriut duke kontribuuar për paqen dhe stabilitetin krah vendeve të tjera.

Ai u ndal edhe tek baza ushtarake e NATO-së në Kuçovë, për të cilën pohoi se është një vlerë e shtuar për të gjithë rajonin.

“Ishte kënaqësi për t’ju takuar dhe për të pasur një shkëmbim idesh në çështje të ndryshme. Në këto dekada NATO është zona më e sigurt e paqes dhe prosperitetit. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në NATO, duke përfshirë luftën kundër terrorizimit. Jemi krenarë për gratë dhe  burrat që shërbejnë për sigurinë. Baza e Kuçovës është një vlerë e shtuar për të gjithë rajonin. Më kujtohet kur firmosa iniciativën e Kartës së Adriatikut, ne jemi krenar që ky proces është i suksesshëm  dhe po vjen duke u zgjeruar.  E drejta e Kosovës për të transformuar forcën e saj në ushtri është një burim sigurie në rajon. Duhet ta mbajmë Ballkanin si një zonë të bashkuar drejt perëndimit”-tha Ilir Meta.

Gjithashtu Ilir Meta foli edhe për aspiratat e Shqipërisë në rrugën e saj europiane dhe dëshirën e palëkundër që ka populli shqiptar për t’u bërë pjesë e BE-së.

“Ashtu siç e kemi bërë të qartë edhe gjatë takimit që pata dy ditë më parë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, ne jemi të vendosur në përpjekjet tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne jemi një vend anëtar i besueshëm i NATO-së dhe kemi besim për anëtarësim në BE”-theksoi ai.

Jashtë vëmendjes në bisedë nuk ka mbetur dhe  rruga e integrimit të vendit tonë në BE.

Meta tha se ai dhe Stoltenberg diskutuan edhe për faktin se BE nuk hapi negociatat me Shqipërinë, duke përshkruar këtë ngjarje me trishtim. Sipas Metës, Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për t‘u integruar në familjen europiane.

“Unë dhe zoti Stoltenberg shprehëm shqetësim për mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë nga ana e Këshillit të BE. Por siç e kemi thënë edhe në konferencën e përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, kemi thënë se duhet të shtohen punët për të dërguar Shqipërinë sa më afër BE-së. Unë jam i sigurt se ne do të dyfishojmë përpjekjet për të bërë më shumë me qëllim që të arrijmë diçka më shumë”, tha Meta.

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s jens Stoltenberg tha se stërvitjet ushtarake që bëhen në kufijtë e Europës duhen parë me kujdes e për to duhet të ketë transparencë.

“Ne duhet të shtojmë përpjekjet që të ketë më shumë stërvitje të përbashkëta me vendet e Europës. E rëndësishme është që kur të shohim stërvitje ushtarake në kufijtë tanë, të ketë transparencë. Shohim edhe sesi realizohen stërvitjet ushtarake”, deklaroi Stoltenberg.