MENU
klinika

Po kush ia gjeti?!..

Ia marrin biçikletën në Belgjikë dhe e gjen në Fier

29.10.2019 - 16:51

E vështirë për t’u besuar por ja që rezulton e vërtetë.

Një qytetar nga Belgjika ka mundur të bjerë gjurmët e biçikletës së tij të cilën ia kanë vjedhur pak kohë më parë në Bruksel, por falë një aplikacioni që kishte në telefon arriti që të gjente vendndodhjen, pikërisht në Fier.

Belgu, Denis Hacquin fillimisht e ka pikasur përmes aplikacionit biçikletën në Budapest, e më pas në Fier.

Por ndërsa priste që policia t’i zgjidhte problemin, ai ka vendosur që përmes një postimi në Tëitter, t’i drejtohet Edi Ramës për ndihmë.

“Edi Rama Përshëndetje, unë po përpiqem të lidhem me autoritetet për të rimarrë një biçikletë që u vodh në Belgjikë dhe që e ka vendndodhjen aktuale në Fier. Çdo lloj ndihme ose udhëzimi do të vlerësohej jashtëzakonisht shumë”, shkruante Denisi.

Sipas gazetës “Brussels Time”, një ditë pas këtij postimi ai ka mundur që ta gjejë mjetin e tij.

“Unë dërgova një e-mail dhe një ditë më pas ata gjetën biçikletën time. Biçikleta u gjet nga autoritetet në Fier falë aplikacionit dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të zëvendës ministres së brendshme Romina Kuko. Kjo e fundit ka qenë shumë ndihmuese dhe e përgjegjshme”, shprehet më pas Denisi, ndërsa në një postim të radhës njoftoi se biçikleta e tij shumë shpejt do të nisej drejt Belgjikës.