MENU
klinika

Integrimi/ Pritet ta pësojë Serbia

BE del me tjetër “skemë”, ja çfarë po synojnë Gjermania dhe Franca

29.10.2019 - 20:46

Bashkimi Europian pritet të ndryshojë rregullat e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë e cila është një hap para vendeve të tjera në këtë proces.

Gazeta serbe “Novosti” raporton se në Samitin e majit 2020, Bashkimi Europian do të prezantojë dokumentin, në të cilin pritet të shtrohen disa modele që sërish përqendrohen te partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të unionit, ndërsa baza dhe theksi kryesor vihen tek ndihma financiare.

Bazuar tek ajo që shkruan “Novosti” thuhet se metodologjia e re e bisedimeve me vendet e Ballkanit, kryesisht po diskutohet midis dy vendeve më me ndikim brenda BE-së, siç janë Franca dhe Gjermania.

Marrëveshja mbi rregullat e reja, pritet të adoptohet nga Këshilli i Europës në marsin e vitit 2020.

Një ndër idetë është ai që quhet integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë.

Më tej, për ta specifikuar këtë model, media serbe thekson dhe merr një shembull konkret se si do funksionojë ky plan i ri. Ajo thekson se nëse mbyllet si p.sh kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet pikërisht në këtë sektor.

Modeli tjetër që është në tryezë është ai norvegjez.

Ky model parashikon që në vend të anëtarësimit do të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyçe; Bashkimi Europian për Tregtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së.

Diplomatët e Brukselit argumentojnë se Franca insiston që rregullat e reja të pranimit të ndryshohen jo vetëm për vendet që duhet të fillojnë negociatat, përkatësisht Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat kanë ecur përpara në proces.

Por, ka edhe nga ata zyrtarë që i besojnë idesë se Bashkimi Europian do të vepronte në kundërshtim me parimet dhe vlerat e saj kryesore nëse ndryshojnë rregullat për Beogradin dhe Podgoricën në mes të garës për anëtarësim.