Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Japoniku është takuar me homologun e tij në këtë shtet, Tadamori Ōshima. Gjatë këtij takimi kryetari i Kuvendit deklaroi se Shqipëria dh eJaponia duhet të forcojnë urat e bashkëpunimit.
“Japonia dhe Tokio përfaqësojnë një mrekulli njerëzore dhe admirohen nga të gjithë shqiptarët. Ne duhet të punojmë për nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri, bujqësi, peshkim, transportin hekurudhor dhe ajror, parqet industriale, sektorin e energjisë, naftës, minierave, shëndetësisë, industrinë e fasonit etj. Rritjes së bashkëpunimit midis të dy vendeve do t’í shërbente edhe liberalizimi i vizave, i cili nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, do të lehtësojë edhe qarkullimin e mallrave, shkëmbimet tregëtare dhe turizmin.” është shprehur Ruçi.
Në këtë takim u konstatua se ka një interes të shtuar për forcimin e marrëdhënieve politike dhe intensifikimin e shkëmbimit të vizitave të niveleve të larta. Japonia është një partner dhe donator i rëndësishëm për Shqipërinë, me rreth 380 milionë dollarë investime, në formë grantesh, asistencë për bashkëpunim ekonomik, kredi të buta etj. Mes dy vendeve janë nënshkruar 15 marrëveshje dhe janë në proces disa të tjera. Bashkëpunimi parlamentar përbën një dimension të rëndësishëm të marrëdhenieve dypalëshe dhe shërben si nxitje edhe për bashkëpunimin në aspekte të tjera.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua gjithashtu me anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtuesit e grupit parlamentar të miqësisë me Shqipërinë dhe anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve, me të cilët biseduan mbi fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, nxitjen e investimeve, ecurinë e projekteve japoneze në Shqipëri dhe rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis të dy vendeve.