Shqipëria është pranuar zyrtarisht në EUROJUST, agjencinë e Bashkimit Europian që trajton bashkëpunimin në çështjet kriminale dhe që e ka selinë në Hagë.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një reagim publik thotë se përmes caktimit të një prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, Shqipëria do të rrisë më tej besimin e partnerëve tanë në vullnetin e vendit për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar, si dhe do të garantojë shkëmbimin në kohë të shpejtë të informacioneve të nevojshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht në sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
“Privilegj dhe kënaqësi të ndaj lajmin e mirë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust e nënshkruar më 5 tetor 2018″ – tha ministrja Gjonaj.
Ky rezultat pozitiv vjen pas një bilanci të vlerësuar pune nga ekipi i EUROJUST, ku intesivisht u përpoqëm të plotësojmë të gjitha parakushtet e vendosura.
Falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen presidentit të EUROJUST Ladislav Hamran, dhe komisioneres Vera Jurova, të cilët para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, patën besim për të na ofruar mbështetjen e nevojshme për të realizuar anëtarësimin e Shqipërisë në EUROJUST.
Kjo përgjigje pozitive është një notë e çmueshme që i takon të gjithë mundit tonë, për ta ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin për hetimin e krimit transnacional.
Përmes caktimit të një prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, ne do të rrisim më tej besimin e partnerëve tanë në vullnetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar transnacional, si dhe do të garantojmë shkëmbimin në kohë të shpejtë të informacioneve të nevojshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht në sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
Ndihem e vlerësuar si ministre e Drejtësisë, duke shënuar në kalendarin e punës sonë një tjetër datë suksesi e cila padyshim do të shërbejë si një urë e fortë lidhëse në rrugën që po shtrojmë bashkërisht drejt integrimit të plotë në familjen europiane.