MENU
klinika

"T’i jepet fund kësaj situate"

Banorët e Laçit në protestë për përmbytjet

02.11.2019 - 17:12

Të përmbytur dy herë brenda një muaj banorët e fshatit Sanxhak në Kurbin kanë protestuar për t’i dhënë fund kësaj situate.

Ata fajësojnë mospastrimin e kanaleve për situatën e përsëritur, për dëmet e së cilës thonë se asnjëherë nuk janë dëmshpërblyer.

Frika nga përmbytjet në prag të reshjeve të shiut ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Sanxhak në Kurbin. Të përmbytur dy herë brenda muajit banorët thonë se uji ka depërtuar deri në banesa, duke iu shkaktuar dëme të mëdha.

Të lodhur nga situata e përsëritur për dëmet e së cilës asnjëherë nuk janë dëmshpërblyer, banorët paralajmërojnë se do të reagojnë ashpër nëse nuk merren masa.

Pak ditë më parë, në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile në Prefekturën e Lezhës pati debate mes Nënkryetarit të Kurbinit dhe Drejtorit të bordit të Kullimit për përgjegjësinë e mospastrimit të kanaleve.