MENU
klinika

Emri

Atentati ndaj prokurorit Ndoj, arrestohet nipi i deputetit të PS-së

05.11.2019 - 11:25

Policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, që tronditi vendin pak ditë më parë, ku mbetën të plagosur prokurori, shoferi i tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon, i njohur edhe si i “Rrumi” i Sukthit.

Redjan Rraja është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Arrestimi i tij është bërë pas një aksioni të gjerë nga policia, FNSH dhe RENEA, të nisur që prej ditës së atentatit, dhe që u shtri në disa qytete të ndryshme, si Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Atentati ndodhi pasditen e të premtes, te mbikalimi i Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës, ku udhëtonte prokurori Ndoji me shoferin dhe “të fortin” e Shijakut, ku ky i fundit njihet edhe si një person me precedentë penalë.

Gjurmët e gjetura në makinën e braktisur në fshatin Shkafanë kanë cuar në arrestimin e Redjan Rrajas.

Burime nga grupi hetimor thanë, se ka dyshime që Redjan Rraja të ketë patur rolin e ekzekutorit në atentatin me tre të plagosur ndaj prokurorit Arjan Ndoji në mbikalimin e Shkozetit.

Po sipas të njëjtave burime, gjurmët e gjetura në makinën tip benz kanë patur përputhshmëri me shenjat e gishtave të Redjan Rrajas, i cili rezulton i skeduar nga policia për precedentë të mëparëshëm penale. Në makinën e braktisur në Shkafanë, u gjetën dy armë zjarri, tip kallashnikov, njëra prej të cilave e bllokuar.

Redjan Rraja, ishte mes personave të shoqëruar për atentatin ndaj prokurorit Ndoji. Ai u ndalua ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria.