Investimet publike për vitin 2020 janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.
Në infrastrukturën rrugore, për periudhën 2020-2022 synohet kompletimi i akseve rrugore nacionale si Rruga e Arbrit, aksi Milot – Balldren, dhe Orikum – Dukat.
Konkretisht parashikohet ndërtimi i rrugës Kardhiq – Delvinë Loti 8 si dhe plotësimi i sinjalistikës nga Loti 1 deri në Lotin 7.
P/buxheti synon subvencionin e kontratës koncesionare për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë.
Në 2020-ën parashikohet ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum -Dukat (Ura e Shën Elizës). Po ashtu dhe financimi i rrugës së Arbrit plus supervizionin.
Brenda vitit 2022 synohet kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm si akset Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, by-pass i Shkodrës, by-pass i Tepelenës, si dhe një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës.
Po ashtu, qeveria synon që brenda vitit 2021 të bëhet kompletimi i segmenteve rrugorë me financim të huaj si by-pass i Fierit, by pass i Vlorës dhe aksi Qukës – Qafë Plloçë.
Përmes këtyre investimeve synohet ndër të tjera ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%.
Përmes investimeve që pritet të kryhen në vitin 2022 në të gjithë territorin do të ketë
3483 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve.
Numri i kilometrave të ndërtuara rehabilituara, sistemuara, asfaltuara dhe të pajisura me sinjalistikë rrugore do të arrijë në 602 Km në vitin 2020 nga 308 km që pritet të ndërtohen deri në fund të vitit 2019.