Ngritja e një instituti shkencor për çështjen e pronës në Shqipëri, është kërkesë imediate e kësaj kohe. Në Shqipërinë e sotme, krimi shtetëror si korrupsion, krimi i rrugës dhe krimi i organizuar, të tre bashkë, operojnë egërsisht në funksion të pronës.
Ky krim gjigand, e ka pushtuar plotësisht jetën shoqërore në Shqipëri, dhe ka skllavëruar shqiptarët.
l.
Çfarë po tregojnë sot krimet dhe përplasjet për pronat në Shqipëri?
Kapitalizëm do të thotë pronë private e fituar me trashëgim apo me një kontratë ligjore, dhe e vënë në efiçencë nëpërmjet një tregu të drejtë, të lirë dhe të mbrojtur me ligj.
Po në Shqipëri?
Sot në Shqipëri çështja e pronës dhe e pronësisë është, në fakt, epiqëndra e krizës shoqërore që ka shkatërruar shtetin ligjor dhe drejtësinë, nëpërmjet krimit.
ll.
Kushdo që realisht dhe me ndershmëri po merret sot me zgjidhjen e krizës shumëdimensionale të Shqipërisë, shqiptar apo ndërkombëtar qoftë ky, nuk duhet që, pas pemëve, të mos shohë pyllin.
Në këtë figurë, pemët përfaqësojë pronësinë indivuduale. Kurse, prona si tërësi dhe si territor shqiptar, është pylli.
Kjo duhet të jetë filozofia e trajtimit ligjor dhe e hetimit profesional të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Prona është pylli, kurse krimi qëndron te pronësia, domethënë te pemët.
Por, a i ka mundësitë profesionale dhe morale Shqipëria sot, që, me njerëzit të cilët duhet të merren me këtë çështje, të mund ta shpëtojë shoqërinë nga krimi që po e sundon?
Jo. Nuk i ka.
A është çështja e pronësisë fokusi kryesor nga ku gjeneron me metastaza i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror, dhe, bashkë me të, dhe i gjithë krimi i organizuar?
Po, prona dhe çështja e pronësisë është fokusi qëndror nga ku gjeneron krimi shtetëror si korrupsion, dhe krimi i organizuar si dhunë joligjore, e ushtruar nga individë dhe grupe individësh. Gjithçka sot në Shqipëri, është ngritur arbitrarisht për të grabitur pronën e tjetërkujt.
Kjo e ka krijuar krizën aktuale dhe të gjithë pështjellimin antiligjor sot në Shqipëri. Në fakt, kjo tani është Nyja Gordiane që duhet prerë me forcën e ligjit për të shpëtuar shoqërinë.
Por, këtu del kjo pyetje: kush duhet ta presë këtë nyje? Këtë nyje mund ta presë vetëm shteti me forcën shtypëse të ligjit, për të vendosur drejtësinë në Shqipëri.
A i ka mundësitë sot shteti shqiptar që ta presë këtë Nyje Gordiane profesionalisht dhe me drejtësi? Jo, sot shteti shqiptar e ka krejt të pamundur që vetë ta ndërmarrë këtë betejë ligjore, e cila kërkon një profesionalizm shumë të lartë. Strukturat e shtetit shqiptar sot janë joprofesionale dhe të korruptuara. Domethënë drejtohen nga krimi.
Krimi kurrë nuk mund ta luftojë krimin, sepse si natyrë, krimi nuk e pranon as ligjin dhe as drejtësinë. Kurse, pikërisht për këtë, në Shqipëri sapo është strukturuar ligjërisht dhe ka filluar reforma në drejtësi.
Por edhe këtu na del sërish një pyetje: po pasi të jetë kryer reforma në drejtësi, a do ta ketë Shqipëria potencën intelektuale dhe profesionale që ta kryejë profesionalisht një ndërmarrje të tillë në lidhje me pronën dhe pronësinë? Jo. Edhe pas reformës në drejtësi, shteti shqiptar do ta ketë thuajse të pamundur që ta rregullojë me drejtësi çështjen e pronësisë.
Atëherë, çfarë duhet bërë?
lll.
Reforma në drejtësi, pasi të përfundojë, kryesisht do të merret me penalizimin e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Ky është objekti i SPAK-ut të famshëm. Dhe ky është përcaktim ligjor kushtetues, që ngre organet e reja të goditjes penale: Gjykatën e Posaçme, Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Megjithatë, edhe pas ngrirjes së këtyre organeve të reja, mundësia e arritjes së suksesit në funksion të pronës është shumë e vogël. Kjo sepse, Shqipëria, në funksion të individëve që do të emërohen në këta organe, nuk është e përgatitur as profesionalisht dhe as moralisht.
Këta organe vërtet që do godasin me ligj dhe do të penalizojë korrupsionin e lartë shtetëror dhe vetë krimin e organizuar, por nuk kanë mundësi profesionale që ta zgjidhin dhe të rregullojnë në perfeksion çështjen e pronësisë në Shqipëri.
Atëherë, çfarë duhet bërë?
lV.
Nëse në Shqipëri nuk do të zgjidhet çështja e pronësisë në mënyrë të drejtë, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme.
Prona ka qenë pika e mjaltit për të cilën është përplasur krimi shtetëror dhe krimi i organizuar në Shqipëri, dhe ka dëmtuar moralitetin dhe ligjshmërinë në qeverisje. Kurse, kjo përplasje, e ka sjellë Shqipërinë disa herë në zgrip të shpërbërjes.
Pikërisht kështu ka qenë Shqipëria edhe në vitin 2016, kur u miratua kushtetuta e re antikorrupsion, por, kështu është edhe sot. Sepse akti shtetëror kundër dy ingredientëve kryesorë të krimit: shtet dhe organizata kriminale – është shumë i dobët. Gjithsesi po pritet SPAK-u. Dhe e gjithë shpresa e shqiptarit të ndershëm është mbështetur aty.
Po SPAK-u, a do të mund ta zgjidhë çështjen thelbësore të pronësisë. Jo, e ka thuajse të pamundur. Atëherë, çfarë duhet bërë?
V.
Kjo vepër kaq madhore që ka të bëjë me çështjen e pronësisë në Shqipëria, kërkon domosdoshmërisht ekspertizë mes intelektit të lartë profesional, ndihmë fizike si forcë policore, dhe një institut shkencor qëndror: të gjitha këto, të drejtuara nga ekspertiza dhe financimi i Uashingtonit, Berlinit dhe vetë Brukselit. Gjithësesi, nëse do të operohet kështu, forca kryesore do të jetë politika dhe ekspertiza amerikanë, e cila duhet të drejtojë në Shqipëri Institutin Shkencor të Pronës. Ngritja e këtij Instituti sot, për Shqipërinë, është domosdoshmëri.
Ky Institut duhet të jetë epiqendra e drejtimit ligjor për rregullimin me drejtësi të çështjes së pronësisë në Shqipëri.
Çështja e pronësisë, kështu siç është shregulluar, do një vizion historik, kërkon një analizë profesionale dhe një analizë shkencore arkivore, punë kjo që mund të kryhet vetëm me anë të një instituti shkencor.
Prona në Shqipëri tani, në 90 përqind të saj, është e grabitur nga hordhitë e korrupsionit shtetëror dhe të krimit të organizuar. Ky është realiteti. Dhe është pikërisht analiza arkivore dhe juridike e një profesionalizmi të lartë, ajo që duhet sjellë në Shqipëri me anë të Institutit Shkencor të Pronës. Por, a e ka në plan ekspertiza amerikane ngritjen e këtij Instituti në Shqipëri?
Deri tani nuk e kemi dëgjuar, por sigurisht që duhet ta këtë në program, sepse kjo është rruga adekuate për reformimin e plotë institucional të Shqipërisë.
Në fakt, çështja është kjo: a ka sot një dominancë të krimit në Shqipëri, e cila ka ardhur nga motivi i grabitjes së pronës? Po. Krimi mbi pronësinë dhe falsifikimin e saj, sot po e dominon të gjithë jetën shoqërore.
Atëhere, sistemimi ligjor i pronësisë është shpëtimi real i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga dominanca e krimit në shtet, në treg dhe në rrugë.
Ja pse, ngritja e Institutit Shkencor të Pronës, është një domosdoshmëri sot për Shqipërinë.